Ndizen sërish sirenat e alarmit mbi futbollin anglez.
Pas dënimit të Chelsea me bllokim të merkatos në dy sesione të tij, hijet e dyshimit janë ngritur mbi Manchester City. Sipas të përjavshmes gjermane “Der Spiegel”, drejtuesit e “Citizens” kanë paguar në mënyrë ilegale, 230 mijë euro agjentit të Jadon Sancho, kur ky i fundit ishte vetëm 14 vjeç.
Sancho, që aktualisht aktivizohet te Borussia Dortmund, u ble nga Manchester City në vitin 2015, por doklumentat e këtyre tratativave me Watford u zbuluan vetëm tani ku figuron edhe pagesa e bërë ndaj Emeka Obasit, agjentit të lojtarit, në një moment kur Federata Angleze e Futbollit nuk e lejonte që futbollistët në moshën 16 vjeç të përfaqësoheshin nga agjentë.
Por jo vetëm kaq, “Der Spiegel” publikoi edhe një e-mail ku theksohet se një person që mendohet si avokati i Manchester City ndërmjetësoi tratativat për klubin anglez dhe i dërgoi një letër të atit të futbollistit që asnjëherë nuk e bëri debutimin zyrtar në skuadër.
Ndërkaq, Manchester City ka reaguar duke hedhur poshtë akuzat duke deklaruar se e gjithë kjo ishte një lëvizje e organizuar për të dëmtuar reputacionin e klubit. Nuk është hera e parë që në futbollin anglez ndodhin lëvizje të tilla. Në 2017, Liverpool u detyua të paguajë një gjobë me 100 mijë paundë për një pagesë të kryer në favor të një futbollisti 12-vjeçar që ishte pjesë e akademisë së Stoke City.
Top Channel