20 Shkurtin, demokratët e përkujtuan ndryshe këtë vit. Oborri i selisë blu kishte marrë përmasat e një mitingu në pritje të vendimit të Këshillit Kombëtar, i cili me vota unanime vendosi djegien e mandateve, duke shënuar në këtë mënyrë precedentin e parë në historinë e pluralizimit shqiptar.

“Kam nderin dhe privilegjin t’iu bëj të ditur vendimin unanim të Këshillit Kombëtar për djegien e mandateve parlamentare me efekt të menjëhershëm. 28 vite pas rrëzimit të simbolit të diktaturës më të egër, shqiptarët të bashkuar si asnjëherë do të kenë në krahun e tyre Partinë Demokratike, si qytetarë të thjeshtë, për të vendosur që kurrë më në Shqipëri të mos vendoset një regjim tjetër diktatorial. Dhe zgjedhim me përgjegjësi të plotë t’i bindemi urdhrit të sovranit. Sovrani në Republikën e Shqipërisë është populli, ndaj qytetarët jeni ju”, deklaroi Basha, pas vendimit të marrë nga Këshilli Kombëtar.

Ndërkombëtarët iu kërkuan udhëheqësve të opozitës të mos e ndërmerrnin këtë akt, por kryedemokrati kishte një përgjigje për ta.

“Ne e hedhim këtë hap pasi kemi shteruar çdo mundësi tjetër. Por unë e di se këtë betejë të madhe, ne të gjithë së bashku do ta fitojmë për Shqipërinë, për demokracinë, për Europën, për Amerikën. Do ta fitojmë për të sotmen, do ta fitojmë për të nesërmen, për të ardhmen e këtij vendi”, tha Basha.

Mazhoranca u tërhoq nga punimet e Kuvendit, por opozita nuk hodhi asnjë hap pas.

“Askush mos të mungojë, zonja dhe zotërinj, qytetare e qytetarë, demokratë dhe socialistë të tradhtuar nga rilindja kriminale, në protestën para Kuvendit të Shqipërisë, i cili një orë e më parë do t’i kthehet Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe jo krimit e korrupsionit”, deklaroi Basha.

Lryeparlamentari Gramoz Ruçi njoftoi anulimin e seancës plenare të thirrur për të enjten, për t’i dhënë kohë opozitës të reflektojë – siç tha ai, – e për t’u kthyer në rrugën e arsyes.

“Duke pasur parasysh apelin e partnerëve tanë strategjikë, duke pasur parasysh informacionet e organeve ligjzbatuese dhe të shërbimeve sekrete, duke ndjekur qëllimin më të lartë të ruajtjes së integritetit të Kuvendit të Shqipërisë, të deputetëve dhe të sallës së Kuvendit, ftoj kolegët deputetë, anëtarë të të gjithë grupeve parlamentare, të mirëkuptojnë vendimin tim për të mos zhvilluar seancën plenare të ditës së enjte, datë 21 shkurt”, tha Gramoz Ruçi.

Top Channel