Aplikimet për kandidat për trupën e Prokurorisë Speciale Anti-korrupsion mbyllen sot dhe në garë janë 27 emra. Ky interesim i prokurorëve për të kandiduar për të qenë pjesë e “FBI-së” shqiptare është përgëzuar nga kreu i Grupit parlamentar të PS, Taulant Balla.
Në një postim në Facebook, ai shprehet se politikanët e korruptuar nuk e ndalën dot reformën në drejtësi, ndërsa e lidh protestën e sotme të opozitës me frikën e PD-LSI nga arrestimet që SPAK do të bëjë.
“Prokuroria Speciale Anti-Korrupsion (SPAK) në rrugë të mbarë, me një numër të konsiderueshëm kandidatësh (27) për të marrë këtë detyrë të rëndësishme. Politikanët e korruptuar nuk e ndalin dot më, edhe me përpjekjen e sotme. Nuk është rastësi që akti i i sotëm anti-demokratik i Sali Berishës, Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit ndodhi pikërisht në ditën e përfundimit të aplikimeve për SPAK dhe në ditën që Kuvendi duhet të votonte strukturën e institucioneve kryesore të Drejtësisë së Re: Këshilli i Lartë i Drejtësisë (KLGJ) dhë Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP). Megjithatë Kuvendi i shqiptarëve do ta votojë në seancën më të parë javën e ardhshme”, shkruan Balla.
Drejtuesi i Grupit të PS ka komentuar edhe djegien e mandateve nga ana e opozitës, duke e konsideruar tradhti ndaj qytetarëve që i kanë votuar në 2017-ën. Madje Balla, nuk kursehet, duke i cilësuar PD-LSI kamikazë që duan të hedhin në erë demokracinë.
“Mandatet që PD dhe LSI paraqitën dorëheqjet nuk janë personale, as të partive respektive, por janë shprehje e vullnetit të popullit. Dorëzimi i dorëheqjeve prej shumë prej deputetëve të këtyre dy partive përbën një tradhëti për të gjithë ata qindra mijëra qytetarë që besuan tek platforma e opozitës në qershor 2017. Kjo sjellje e paprecedentë e PD dhe LSI sot ngjason gjithmonë e më shumë me një sjellje tipike të një organizate terroriste, e gatshme për të hedhur në erë të gjithë sistemin. Por sistemi demokratik në Shqipëri është tashmë i konsoliduar, ndërsa institucionet shqiptare janë partnere të besueshme të SHBA dhe BE”, shprehet Balla.
Ai thekson se, “prej vitit 2013 Shqipëria ka përshpejtuar dhe thelluar ritmin e reformave, si dhe ka konsoliduar progresin në përmbushjen e pesë përparësive kyçe për hapjen e negociatave të anëtarësimit”.
“Protestat e dhunshme dhe dorëzimi i mandateve nga ana e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim vetëm pak muaj larg mbledhjes së Këshillit Europian në qershor 2019, minojnë qartësisht perspektivën europiane të Shqipërisë”, thekson Balla.
Ndërkohë, më herët gjatë ditës në një takim me përfaqësues të Parlamentit çek, Balla tha se opozita ka zgjedhur rrugën e gabuar për të ardhur në pushtet.
“Marrja e pushtetit me dhunë, apo përpjekjet për deligjitimimin e proceseve demokratike është e papranueshme. Dorëzimi apo dorëheqje prej tyre është injorimi i vullnetit të popullit. Asnjë parti politike në Shqipëri nuk ka të drejtë të dëmtojë perspektivën evropiane të Shqipërisë”, deklaroi ai.
Top Channel