Presidenti Ilir Meta në një intervistë për “Deutche Welle” në Berlin ka komentuar edhe djegien e mandateve nga opozita shqiptare. Në intervistë, Meta shprehet se çdo veprim ekstrem nuk i shërben jo vetëm demokracisë, por as forcimit të institucioneve. Presidenti Meta kërkon që lidhje me rastin mazhoranca të kuptojë përgjegjësitë që ka për qeverisjen e vendit.
Presidenti Ilir Meta në një intervistë për “Deutsche Welle” pozicionohet kundra propozimeve për djegien e mandateve nga deputetët e opozitës.
“Vlerësoj se çdo veprim ekstrem nuk i shërben demokracisë, nuk i shërben forcimit të institucioneve dhe nuk i shërben njëkohësisht as integrimit europian të vendit, që është dëshira e çdo qytetari shqiptar”, tha Meta.
Megjitha kreu i shtetit përballë kësaj situate, kërkon edhe një reflektim nga maxhoranca qeverisëse.
“Është koha të kemi një hap prapa nga opozita, por mendoj që është koha të kemi edhe dy hapa pas nga mazhoranca, nga qeveria dhe nga Kryeministri, të cilët duhet të kuptojnë që përgjegjësitë kryesore për qeverisjen e vendit janë të tyre”, u shpreh Meta.
I pyetur për protestën e paralajmëruar të enjten nga opozita presidenti Ilir Meta thotë:
“Është e rëndësishme që çdo protestë të jetë paqësore dhe ata të cilët i organizojnë të marrin të gjitha përgjegjësitë e tyre, ashtu sikurse është e turpshme që protestat të provokohen për çdo lloj arsye. Në Shqipëri ka një pakënaqësi, ka një zemërim dhe është koha, jo për ta instrumentalizuar këtë pakënaqësi dhe zemërim nga çdo palë, por për ta lexuar dhe për të reflektuar”, theksoi Meta.
Përshkallëzimi i protestave apo i politikave ndarëse, akoma më keq konfrontuese, sidomos jashtë institucioneve, është një zhvillim i padëshiruar, ka theksuar kreu i shtetit shqiptarë.
Top Channel