Top Channel publikoi një javë më parë përgjigjen e Autoritetit të Dosjeve ku thuhej së në institucionet shtetërore kishte 30 persona me dosje në ish-sigurimin e shtetit. Mes tyre edhe një person me inicialet Ll.K, i cili pasi u shqyrtua në autoritet, mbi bazën e ankimit të subjektit të verifikuar, është vendosur ndryshimi i tij.

Ll.K. është diplomati Llesh Kola, i cili kontaktoi Top Channel dhe përmes një interviste tregon një mori me problematika krijuar nga vendimi i Prillit 2018 kur autoriteti e shpalli si një person me dosje.

“Në kohën që ata i referoheshin që unë kam nisur bashkëpunimin unë kam qenë prapë në shërbimin diplomatik jashtë shtetit dhe skam qenë fare në Shqipëri”, u shpreh Llesh Kola.

Tre muaj më vonë autoriteti dosjeve pranon se kishte gabuar.

“Vendimi i qershorit 2018 i marrë nga e njëjta trupë, të njëjtët anëtarë thekson që Llesh Kola nuk figuron në dokumentet e sigurimit të shtetit pra e njëjta trupë në prill merr një vendim që figuron në qershor nuk figuron”, sqaron diplomati.

Pikërisht ky gabim për pak sa nuk i kushtoi diplomatit Kola edhe vendin e punës.

“Më pas menjëherë sapo u njoftova nga Ministria e Jashtme për fillimin e procedurave administrative në bazë të ligjit të shërbimit te jashtëm që do të thotë largimi nga ai shërbim me atë titull kam ardhur në Shqipëri pasi jam me një detyrë në një post ndërkombëtar i propozuar nga qeveria jonë, por i votuar nga 12 qeveri të vendeve anëtare të organizatës së Bashkëpunimit të Detit të Zi dhe kam shfrytëzuar të drejtën time për t’u ankimuar pranë Autoritetit të Dosjeve nga ku kam paraqitur rezervat e mija duke kundërshtuar hapur atë vendim sepse në radhë të parë unë kam qenë i kontrolluar që në 1997 kur kam kandiduar si deputet dhe komisioni Mezini ka dhënë një vendim për pastërtinë e figurës time”, tha ai.

Llesh Kola tregon se çfarë përjetoi kur mori vesh vendimin e 24 Prillit 2018, se ai kishte dosje.

“Problemet kanë qenë të menjëhershme dhe të shumta. I pari është stresi. Imagjinoni që unë jam një diplomat karriere prej 35 vitesh. Janë strese të menjëhershme përballja me akuza të rreme dhe shpifje. Janë probleme shëndetësore që më ka sjellë mua . Është dëmi që i ka shkaktuar imazhit tim personalitetit tim figurës time statusit tim në vite si diplomat karriere por edhe statusit tim aktual”, tregon Kola.

Tashmë beteja e Llesh Kolës për të pastruar emrin e tij nga një gabim i Autoritetit të Dosjeve vijon në Gjykatën Administrative pas një padie dorëzuar nga ai.

Top Channel