Këshilli Kombëtar i PD voton unanimisht djegien e mandateve të deputetëve. Basha: I bindemi sovranit!

20/02/2019 17:39

Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike ka vendosur unanimisht pro djegies së mandateve parlamentare nga deputetët e PD-së.

Gjatë mbledhjes së sotme të zhvilluar në selinë blu, asnjë nga të pranishmit nuk është shprehur kundër propozimit të Kryetarit të PD-së, Lulzim Basha për të bërë nul mandatet e ligjvënësve të saj.

Me propozim të kryetarit të PD-së Lulzim Basha, grupi parlamentar i tha ‘po’ djegies së mandateve parlamentare dhe tashmë vendimi u vulos përfundimtar edhe nga Këshilli Kombëtar duke krijuar një rast të paprecendentë.

Bashkë me deputetët, lista pasuese po firmos mospranimin e mandateve. Të enjten pritet që dosja me deklaratat për lënien e mandateve të dorëzohet në Kuvend

Kryedemokrati Lulzim Basha ka folur para mbështetësve të mbledhur në selinë e PD-së ku Këshilli Kombëtar i kësaj force vendosi unanimisht djegien e mandateve parlamentare. Basha tha se deputetët e PD do jenë në krah të qytetarëve si qytetarë të thjeshtë dhe se PD iu bind urdhrit të sovranit. Ai theksoi se PD do e çojë betejën deri në fund.

“Këshilli Kombëtar vendosi djegien e mandateve me efekt të menjëhershëm. Në këtë 20 shkurt viti 2019, 28 vite pas rrëzimit të simbolit të diktaturës më të egër që ka përjetuar Europa, shqiptarët do kenë përkrah PD-në. Njerëzit tanë do të jenë në krah të qytetarëve si qytetarë të thjeshtë për të vendosur se kurrë më në Shqipëri të mos vendoset një regjim tjetër diktatorial. Kurrë më të drejtat e njeriut të mos shkelen siç kanë ndodhur këto 5 vite, që vendit t’i rikthehen zgjedhjet e lira e të ndershme. Pas urdhrit të sovranit, i cili ushtoi fuqishëm në protestën më të madhe të 16 shkurtit ne nuk kemi asnjë rrugë tjetër dhe zgjedhim ti’ bindemi urdhrit të sovranit. Sovrani është populli, jeni ju. Përmes këtij vendimi të vështirë dhe të paprecedentë ne synojmë të çojmë deri në fund betejën tonë për vlerat europiane. Ne do të hapim derën që na është mbyllur tash e sa vjet. Ne do ta hapim derën drejt BE. Ne do ta hapim atë derë ku ndarje pushteteve dhe garancia para qytetarëve të garantojë një qeveri të përgjegjshme duke filluar tek ata që kanë nevojë për ndihmë, e duke vazhduar me fermerët dhe bizneset dhe për të përndjekurit politikë, për t’i dhënë fund sagës, e cila është turpi ynë politik. Ky vendim është që rinia shqiptare të marrë në dorë fatet e vendit. Këtë betejë të madhe do ta fitojmë për Shqipërinë, për demokracinë, Europën, Amerikën, për të sotmen dhe të ardhmen e këtij vendi. Ndaj ju ftoj se askush të mos mungojë në protestën e nesërme në orën 10:00 para Kuvendit të Shqipërisë, i cili do t’i kthehet Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe jo krimit”, tha Basha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA