Pak ditë më parë në emisonin “Open” në Top Channel, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi denoncoi se vëllai i Elisa Spiropalit, zëdhënëses së qeverisë, ka përfituar 550 milionë lekë nga fondet publike.

Këtë të martë, deputetja Jorida Tabaku dhe Lealba Pelinku e Departamentit Antikorrupsion shpjeguan me detaje akuzën ndaj Spiropalit dhe familjes së saj.

“Duke ndjekur paratë është zbuluar një skemë skandaloze korrupsioni, konflikti interesi dhe fshehje pasurie, ku përfshihet drejtpërsëdrejti Elisa Spiropali, zëdhënëse e qeverisë; bashkëshorti i saj, Salarjon Totaj, ish-drejtor i Ujësjellësit Fier; vëllai i Elisa Spiropalit, Enkli Spiropali; si dhe kushëriri i bashkëshortit të saj, Marjus Memushaj”, tha Tabaku.

Sipas demokratëve, historia nis në shtator të vitit 2013, kohë kur Elisa Spiropali ishte drejtoreshë e Doganave dhe vëllai i saj, Enkli Spiropali krijoi kompaninë “Solomon”.

“550 milionë lekët janë marrë me tendera të vogla që nuk tërheqin vëmendjen. Me tendera 6-7 milionësh, bashkëshorti i Elisa Spiropalit i ka dhënë kompanisë së krijuar nga kunati i tij, vëllai i Elisës, rreth 350 milionë lekë”, tha Pelinku.

“Më e pakta që duhet të ndodhë sot është angazhimi i menjëhershëm i Inspektoriatit të Pasurive për të hapur një hetim pasuror për Elisa Spiropalin”, tha Tabaku.

Për akuzat reagoi vet Spiropali. Duke hedhur poshtë sulmet, zëdhënësja e qeverisë siguroi se vëllai i saj nuk kishte përfituar asnjë kontratë apo fond publik, as kur ishte drejtoreshë dhe as tani që është ministre.

Spiropali paralajmëroi se do të padisë akuzuesit, ndërsa me paratë e fituara do të ndihmojë kopshtin e Kolonjës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA