Nëse është dikush që mund t’i prishë gjumin Diego Simeones këtë javë, në kulmin e përgatitjeve për një turne elitar si Champions League, ai është vetëm Cristiano Ronaldo.
Portugezi ka gjetur thuajse gjithmonë rrugën e rrjetës kundër Atleticos së Madridit, duke u kthyer në një makth për “Los Colchoneros”, ndërsa tifozët spanjollë shpresojnë që këtë të mërkurë në mbrëmje të jetë ndryshe, kur Juventusi të zbresë në fushën e tyre.
Në 9 sezone me fanellën e Realit të Madridit (2009-2018), Ronaldo arriti të shënojë 22 gola në 31 ndeshje të zhvilluara ndaj skuadrës së të njëjtit qytet. Bilanci i luzitanit flet për 12 gola në La Liga, 6 në Kupën e Mbretit dhe 4 në Champions League.
Pikërisht këtu është për t’u kujtuar një trigolësh i Cristiano Ronaldos në gjysmëfinalet e turneut, një ndeshje që bëri portugezin të kalonte dhe shifrën e 400 golave me fanellën “merengues”.
Juventusi e bleu për një shifër të majme, pikërisht për të lënë shenjë në Europë, e Ronaldo di vërtet të jetë vendimtar. Në kompeticionin elitar kontinental, ai është përballur me Atleticon për 4 vite radhazi, dy herë në finale, një herë në gjysmëfinale dhe një herë në çerekfinale.
Në të gjitha rastet, Reali doli fitues. Vetëm Lionel Messi ka shënuar më shumë sesa Ronaldo kundër Atleticos, por këtë bilanc portugezi mund ta kalojë mbrëmjen e së mërkurës.
Top Channel