Deputetët e Partisë Demokratike, pavarësisht diskutimeve në parim, kanë rënë dakord unanimisht që të vijojnë me procesin e djegies së mandateve.

Propozimi i Bashes për djegien e mandateve u mbështet unanimisht nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, por demokratët nuk pritet ta lënë sot mandatin e deputetit pasi vendimi final i takon forumeve më të larta të partisë.

“Grupi parlamentar i PD vendosi unanimisht djegien e mandateve parlamentare të PD në Kuvendin e dalë me votat e krimit dhe mafias në zgjedhjet e manipuluara të 25 qershorit 2017. Me vendimin e djegies së mandateve, grupi parlamentar mbështet zgjidhjen politike të ofruar nga opozita e bashkuar të një qeverie tranzitore, të gatshme për të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm, që do të garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha Basha.

Mes demokrateve pati edhe skeptike. Sipas, Myslym Murrizit opozita ka provuar te djegë mandatet dhe me pare por nuk ka arritur asgje , Flamur Noka shkoi edhe më tej, duke propozuar që mandatet ti lënë dhe kryebashkikët dhe këshilltarët e djathtë. Por krahas mendimeve ndryshe vota ishte unanime. Demokratet autorizuan Kryetarin e Partisë të thërrasë Këshillin Kombëtar per marrjen e vendimit përfundimtar ndërsa një grup pune me juriste u ngrit për përcaktimin e teknikaliteteve e lënies së mandatit.

Pas mbledhjes së grupit, në zyrën e Bashës mbërriti Monika Kryemadhi, e cila nuk është shprehur ende publikisht pro apo kundër lënies së mandatit , ndërsa ka thirrur deputetët në mbledhje me pasdite për të marrë një vendim. Në pritje janë edhe aleatët historik, të demokratëve të cilët presin që Basha t’i thërrasë në takim.

Top Channel