Armando Cungu nuk largohet nga pankina e Kukësit.
Presidenti Safet Gjici në një konferencë për shtyp ka konfirmuar qëndrimin e trajnerit shkodran në stolin e skuadrës verilindore duke shuar zërat që flisnin për shkarkimin e tij pas humbjes që Kukësi pësoi ndaj Teutës ndërkohë që ai nuk ishte në stërvitjen e së dielës me skuadrën.
“Trajneri ka qenë pushim ditën pas ndeshjes, ka qenë në Shkodër si zakonisht. Tani vijon punën, nuk ka pasur asnjë vendim për ta larguar. Ka besimin tim absolut, sepse loja nuk ka qenë e keqe, përtej rezultateve. Loja po përmirësohet nga ndeshja në ndeshje. E patë vetë në Durrës që luajtëm shumë mirë, mund të na jepej një penallti, ashtu si për Teutën. Ndoshta edhe arbitri e humbi qetësinë. Klubi nuk ka marrë asnjë vendim për trajnerin, përndryshe do ta kishim zyrtarizuar ne, si klub, jo mediat. Unë i marr vendimet pa ndikimin e askujt dhe nuk pushohet trajneri nga mediat. Kam biseduar sot me trajnerin dhe lojtarët, sepse edhe ata kanë përgjegjësi”, u shpreh Safet Gjici, President i Kukesit.
Presidenti Gjici më pas kërkoi qetësi për ndeshjet e radhës së Kukësit duke nisur që nga sfida merr Kamzën duke bërë të qartë edhe objektivin e nënkampionëve të vendit.
“Skuadra ka eksperiencë, disa lojtarë janë kampionë. Duhet kohë për të gjetur ekuilibrat e reja. Jemi 3 ekipe për titull, edhe Teuta, pavarësisht se sillet si “nëndetëse”. Partizani merret vetëm me ne. Kemi bërë marrëveshje me lojtarët, duam 4 fitore rresht. Nuk kam vendosur gjoba, përkundrazi, do të ketë premio nëse arrijmë objektivin në ndeshet e radhës”, tha Safet Gjici, President i Kukësit.
Top Channel