Vendimi i opozitës për djegien e mandateve parlamentare ishte në qendër të diskutimeve edhe në emisionin politik të mbrëmjes në Top Channel, “Open” nga Eni Vasili. Çfarë do të ndodhë tashmë me politikën shqiptare? A do të reagojë kryeministri Rama? Do të vijojë ende qeverisjen pa reflektuar për këtë veprim deri diku ekstrem, apo do të pranojë të ulet për diskutime?
Këto dhe shumë pikëpyetje të tjera në lidhje me këtë ngjarje të paprecedentë në politikë u diskutuan mes të ftuarve: Carlo Bollino, gazetar dhe botues; Mesila Doda, Sekretare e Përgjithshme e PDIU-së; Mentor Nazarko, analist; Fahri Balliu; si dhe dy politikanë në lidhje të drejtpërdrejtë nga studio paralele, Dashamir Shehi dhe Pjerin Ndreu.
“Open”, Dash Shehi: S’kishim zgjidhje tjetër. S’duam pushtet në tavolinë
“S’kishim rrugë tjetër, e kemi provuar me të gjitha mënyrat, deri edhe te demonstrata e fundit masive që zhvilluam të shtunën e kaluar. Kjo nuk është dëshirë e kryetarit të opozitës Lulzim Basha, por e kemi menduar prej kohësh, pasi nuk kishim çfarë të bënim tjetër. Ne shpresojmë të jemi të vetmit që sakrifikohemi për qeveri tranzitore dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ne nuk po kërkojmë pushtet në tavolinë, siç thoni edhe ju, por kërkojmë një sistem të ri politik, duke larguar kriminelët nga kutitë e votimit, të largojmë oligarkët financues të partive politike. Të kemi një sistem krejt tjetër zgjedhor, e sigurisht të bëjmë dy detyra të tjera me konsensus politik: përmirësimi i drejtësisë dhe avancimi i procesit të integrimit. Pasi të bëjmë këto punë, të shkojmë më tej në zgjedhje lokale e qendrore njëkohësisht”, tha Dashamir Shehi, nga Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, aleat i PD-së në opozitë.
Ai e quajti abuzim faktin që po thuhet se opozita kërkon pushtet në tavolinë, pasi kërkohet vetëm ndryshimi i rregullave të zgjedhjeve në një sistem të degraduar.
Ndërkohë, topi tashmë është në fushën e shumicës parlamentare dhe qeverisë socialiste. Si do të reagojë shumica tashmë përpara këtij vendimi?
“Open”, Ndreu: Opozita i ka djegur mandatet prej kohësh. Çdo funksion jashtë Parlamentit
“Opozita i ka pasur të djegura mandatet, sepse roli i saj ka qenë i kushtëzuar. Unë kam dy mandate deputet, por nuk mbaj mend se kur opozita ka ushtruar funksionin e vet në procesin ligjbërës. Duke mos marrë pjesë ka dëmtuar rëndë procesin e ligjbërjes, por është marrë vetëm me fyerje, sulme, etj. Roli i opozitës ka kohë që de facto ka qenë jashtë Parlamentit. Kjo e tanishmja duket si një histori mllëfi ndaj një personi që ka votat e shqiptarëve dhe është kryeministër. Kjo është e para opozitë në botë, që me vota më pak kërkojnë të rrëzojnë një kryeministër sepse ashtu do ajo. Këtu flas për filozofinë e opozitës sonë prej kohësh, ndërkohë që ne vazhdojmë ushtrojnë funksionin tonë si qeveri”, tha Pjerin Ndreu.
Sipas tij, opozita ka të drejtën legjitime të kërkojë rrëzimin e kryeministrit dhe qeverisë së tij për të ardhur në pushtet, por jo të kushtëzojë largimin e tij përmes veprimeve radikale. Ndreu tha se zgjedhjet janë përpara dhe opozita ka të gjitha mundësitë të tregojë aftësitë e saj për të fituar besimin e shqiptarëve.
Ndërkohë, gazetari dhe botuesi Carlo Bollino analizoi kërkesat e Shehit.
“Reforma zgjedhore ishte pika e parë e përmendur nga Shehi, por opozita nuk ka marrë pjesë në asnjë takim të komisionit parlamentar për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Djegia e mandatit sot është vetëm fillimi i një procesi shumë të gjatë, presim të shohim nëse do t’i shkojnë deri në fund apo do të tërhiqen nga mesi i rrugës si pasojë e presioneve. Së dyti ishte integrimi, për të cilën opozita si kurrë ndonjë tjetër e ngjashme me të, po bëhet pengesë dhe aspak ndihmuese. E treta është largimi i kriminelëve nga Parlamenti dhe postet publike, por të mos harrojmë se kjo legjislaturë ka ardhur pas marrëveshjes Rama-Basha në maj të vitit 2017. Kryetarin e KQZ-së e ka opozita dhe ai ka certifikuar zgjedhjet e vitit 2017 në Shqipëri, kështu që e shoh absurde që pas një viti e gjysmë dilet me argumentin se në Parlament janë zgjedhur kriminelë apo që zgjedhjet kanë qenë të manipuluara”, tha Carlo Bollino.
Për të vijuar opinionin e tij, Bollino tha se opozita ende nuk po pranon rolin e saj si pakicë.
“Sali Berisha e ka treguar më herët kur ka qenë në qeveri sesi e trajtonte opozitën dhe sesi forca e kartonit vendoste mbi gjithçka. Opozita e ka të qartë misionin e saj dhe duhet të bëjë opozitë brenda Kuvendit të Shqipërisë. Ne po lexojmë tashmë një lumë kritikash që janë totalisht kundër djegies së mandateve, sepse kjo krijon një precedent kundër demokracisë. Sa i përket marrëveshjes me bandat, unë vij nga një vend ku ish-kryeministri jo vetëm që është akuzuar për bashkëpunim me mafien, por krahu i djathtë i tij është arrestuar dhe akuzuar si bashkëpunëtor i Cosa Nostrës dhe jo mafies që quani ju”, tha më tej Bollino, duke iu referuar Silvio Berlusconit.
Sipas tij, nëse ka prova që kryebashkiaku i Durrësit, apo i kujtdo qyteti tjetër, ka pasur bashkëpunim me kriminelë për të ardhur në pushtet apo për t’u rizgjedhur, atëherë të dënohet dhe të mbajë përgjegjësi penale personalisht. Gjithsesi, Bollino dënon votën e manipuluar.
Fahri Balliu, nga ana e tij akuzoi se sot jemi në një sistem “fashist”, pasi kryeministri Rama ka favorizuar dhe ka motivuar kriminelët përmes koncesioneve dhe marrëveshjeve të dyshimta, duke iu referuar kryesisht projektit të “Unazës së re”.
“Mendoj se vendimi i PD-së është njësoj si hapja e frontit të Luftës së Dytë Botërore. Është e rrezikshme për vet opozitën, që duhet të bëhet gati për një luftë dhëmb për dhëmb me shumicën, e pasi të arrijë objektivat, atëherë do të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ky vendim ka ardhur pas një kohe të gjatë përplasjesh në Kuvend dhe jashtë tij”, tha Balliu, duke përmendur njëra pas tjetrës ato që ai i quajti skandale të qeverisë së majtë, si kryebashkiaku i Kavajës, apo deputetët e koalicionit që janë larguar gjatë mandatit të parë si pasojë e dekriminalizimit.
Vendimin, Balliu e sheh të shtrirë në dy plane: çfarë do të ndodhë me opozitën dhe çfarë me qeverinë, e në fund të gjendet një pikë e mesme që do të sjellë një zgjidhje të situatës konfliktuale. Por, menjëherë ndërhyri zoti Ndreu, i cili përmendi Gërdecin, rrugën Durrës-Kukës, 21 Janarin etj., si aferat më të mëdha të qeverisë demokrate të Sali Berishës para dy mandateve të socialistëve.
Nazarko në “Open”: Dorëzimi i mandateve, situatë tragjikomike
Mentor Nazarko, analist i ftuar në studion e “Open”-it nga Eni Vasili, e quajti situatën e fundit politike dhe vendimin e opozitës për të djegur mandatet si diçka tragjikomike. Tragjike, sepse ka zgjedhur metodën e gabuar për të kërkuar ardhjen në pushtet, ndërkohë që komike, sepse pretendon zgjedhje të manipuluara një vit e gjysmë me vonesë, në një kohë që kishte të gjithë “rojtarët” e mjaftueshëm dhe të domosdoshëm për të ruajtur votat nga vjedhja. Sipas Nazarkos, votat në Shqipëri janë vjedhur nga çdo qeveri, e majtë apo e djathtë, sa herë kanë qenë në pushtet.
Debatet u “përflakën” disi me akuza personale mes Shehit dhe Nazarkos, e më tej edhe mes Bollinos dhe Shehit, me këtë të fundit që iu referua gazetarit shqiptaro-italian nga kombësia, gjë që Bollino e quajti racizëm, ndërsa kreu i LZHK-së këmbënguli se opinionistët në studio ishin të majtë.
Bollino ishte shprehur më herët se situata ka ardhur në një moment të çuditshëm, pasi në asnjë vend demokratik të botës, opozita nuk ka bërë ndonjëherë një veprim të tillë për të kërkuar me çdo kusht rrëzimin e qeverisë, me argumente që nuk qëndrojnë aspak pasi zgjedhjet u monitoruan nga njerëz të opozitës në vendosur në dikasteret kryesore të kontrollit e monitorimit të zgjedhjeve.
Top Channel