Kryeministri Rama mendon se deklarimet për lënien e mandatit janë një bllof i Bashës dhe se opozita nuk do të gjejë dot konsensus mes saj për këtë vendim. Kryeministri duke komentuar protestën e opozitës tha se nuk do jepte dorëheqjen dhe se nuk do të mbaheshin as zgjedhje të parakohshme në Shqipëri.
Në mbledhjen e grupit parlamentar socialist Kryeministri Rama mësohet se ka folur në lidhje me protestën e opozitës të shtunën e kaluar ku nuk munguan aktet e dhunës. Burimet pohojnë se Rama ka përgëzuar ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj si dhe policinë e shtetit për menaxhimin e situatës.
“Kush kërkoi dhunë u përball me një model krejt të ndryshëm sjelljeje të pushtetit ndaj protestuesve, përkundër modelit kriminal të atyre që dje vranë protestuesit ndërsa sot duan të vrasin shpresën europiane të shqiptarëve”, tha Rama.
Burimet nga mbledhja tregojnë se Rama ka folur edhe në lidhje me propozimin e Lulzim Bashës për djegien e mandateve, duke e cilësuar këtë një gjest të dëshpëruar dhe blof të kryedemokratit.
“Nëse djegia e mandateve nuk është një tjetër ballo me maska e Lulzim Bashës, pra një çadër në formë bojkoti para zgjedhjeve të qershorit, do të jetë sidoqoftë e vështirë të realizohet konsensusi mes tyre. Basha e di këtë por luan bllofin”, ka deklaruar Rama.
Para socialistëve, Rama ka shprehur bindjen se Basha do të futet në zgjedhje dhe ka kërkuar nga PS që të vazhdojnë përgatitjet për garën e ardhshme zgjedhore, pavarësisht skenarit të opozitës.
“Unë them se ata do të hyjnë në zgjedhje pasi të kenë bërë sikur nuk hyjnë deri në minutën e fundit, por hyjnë apo jo ata në zgjedhje, ne duhet të fitojmë jo thjeshtë votat e shumicës, por besimin e edhe më shumë qytetarëve se herën e kaluar.”, u shpreh kryeministri.
Mësohet gjithashtu se një grup pune i drejtuar kryetari i Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja dhe ministrja e Drejtesisë Etilda Gjonaj, do të propozojë këto dite sanksione të forta në rregulloren e Kuvendit për deputetët që përdorin dhunë të çdo forme apo fjalë të rënda në Parlament.
Top Channel