Asnjë person që nuk ka paguar faturat e dritave, ujin apo telefonin, apo nëpër dyqane dhe kompani, nuk do ketë mundësi qe të marrë një kredi bankare. Bankat në Shqipëri janë organizuar për krijimin e një zyre që do mbledhë të dhënat e të gjithëve. Kjo është një masë për të ulur numrin e kredive që nuk shlyhen.
Bizneset apo individët që nuk janë korrekt me shlyerjen e faturave të energjisë, ujit apo dhe pagesën e telefonit do ta kenë më të vështirë për të marrë një kredi në bankë.
“Nëse ju nuk paguani energjinë elektrike, nuk paguanin faturën e ujit apo telefonit sigurisht që kjo përbën një risqe financiare. dhe që banka të japë një kredi duhet të shohë se çfarë detyrimi keni ju përreth. sot ky informacion nuk merret”, u shpreh Spiro Brumbulli, Shoqata e Bankave.
Shqipëria ka aktualisht një regjistër kredie, i cili përmban të dhënat vetëm për detyrimet që individët apo biznesi kanë në banka. Por me ndihmën e BERZH, shoqata e bankave ka nisur punën për të ndërtuar byronë kombëtare të kredisë, e cila do të përfshijë jo vetëm borxhet e kqëija që qytetarët kanë në banka, por edhe ato që mund të kenë ndaj kompanive të tjera.
“Përvec bankave sigurisht që mund të jenë ujësjellsat, mund të jetë shoqëria e energjisë mund të jenë shoqëritë e telekomunikacionit, mund të jenë telekomunikacionet, supermarketet etj. pra cdo shoqëri që shet me kredi”, tha Spiro Brumbulli, Shoqata e Bankave.
Të dhënat në byronë e kredisë janë konfidenciale. Por nëse një qytetar kërkon kredi, atëherë ai duhet të autorizojë byronë që t’ja përcjellë informacionin bankës.
“Madje byroja do të verë edhe nota”, shton Spiro Brumbulli, Shoqata e Bankave.
Ngritja e byrosë kombëtare të kredive është listuar si një nga masat kryesore të qeverisë për uljen e kredive të këqija, pasi ajo u jep informacion të plotë bankave mbi gjendjen financiare të një biznesi apo individi.
Top Channel