Kryetari i Partisë Demokratike ka njoftuar përmes një deklarate për mediet këtë të dielë, djegien e mandateve parlamentare të opozitës, pasi siç tha, e ka lexuar mjaft qartë mesazhin e popullit në protestën e djeshme.

“Mesazhi juaj ishte i qartë, kështu nuk vazhdohet më. Kupa është mbushur dhe është derdhur. Koha e fjalëve ka mbaruar dhe ne nuk do të vazhdojmë të jemi fasadë e një Parlamenti të dalë nga bashkëpunimi me krimin . Jam sot këtu të them me përgjegjësi të plotë se e kam lexuar vullnetin tuaj në atë protestë të kthyer në referendum popullor: I kam propozuar grupit të Partisë Demokratike dhe forumeve më të larta partiake djegien e mandateve tona në këtë Parlament”, tha Basha.

Përpara kësaj, Basha tha se shqiptarët kërkojnë çdo të drejtë legjitime nga një qeveri legjitime.

“Ne kërkojmë shumë të drejta, por përballë nuk kemi një parti politike, një qeveri dhe kryeministër të zgjedhur me votë dhe përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Përballë kemi një bandë të ardhur nga bashkëpunimi me krimin”, tha kreu i PD-së.

Basha theksoi se protesta ishte qytetare dhe e vendosur, por qeveria u përgjigj me dhunë.

“Ju erdhët të vendosur dhe me qytetari, por qeveria iu përgjigj juve dhe luleve e civilizimit tuaj me gaz lotsjellës dhe dhunë. Ai mohoi të drejtat e protestuesve, dhuna kundër qytetarëve protestues provon degradimin e këtij shtetit të kalbur dhe inkriminim e policisë në mbrojtje të një klase të korruptuar politikanësh. Jam i bindur se siç e treguat dje dhe do ta tregoni çdo ditë në vazhdimësi, asnjë popull që kërkon të drejtat e tij nuk mund të shtypet në këtë mënyrë”, tha Basha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA