Rama takim në Vlorë. Kryeministri vijon axhendën e tij “Bashkia që duam”

16/02/2019 12:38

Ndërsa partia Demokratike mblodhi në Tiranë tubues nga pjesë të ndryshme të vendit për protestën e paralajmëruar të saj, kryeministri shqiptar Edi Rama ishte në Vlorë, nga ku bëri një demonstrim force me anën e imazhit.

Pamjet filmike të realizuara nga Takimi publik i ciklit kombëtar “Bashkia që duam” treguan një pjesëmarrje masive në shesh; videoja e hedhur në faqen e facebookut të kryeministrit, në të cilën nuk mungojnë as filmimet e realizuara nga lart me dron, që praktikisht një sfide që i bëhej protestës së opozitës. Rama u përqendrua tek gjendja e Vlorës, e duke theksuar ndryshimet që ka pësuar qyteti dërgoi dhe një mesazh për organizatorët e protestës në Tiranë.

“Vlora është vendi i duhur për të bërë dallimin mes të shkuarës e të ardhmes; nuk është kjo Vlora që unë dua, Vlora që unë dua është vendi ku aeroporti nuk është zotim por realitet…ku porti është pika e ankorimit të aktivitetit turistik…çdo shqiptar që ka sy për të parë do të kuptojë se kush është ndryshimi mes nesh që jemi këtu dhe atyre që janë sot në Tirane është ndryshimi mes Vlorës sot dhe Vlorës dje; Vlorës dje ku nuk gjeje dot se nga të hyje nëse kishte rënë nata. Për vite Vlora ishte braktisur sepse ata që janë mbledhur për të përsëritur të njëjtin avaz e kishin braktisur, por sot Vlora dhe Shqipëria kanë zot; sot Vlora dhe Shqipëria kanë shume për të bërë akoma por kane sigurinë se janë në rrugën e duhur”, tha Rama.

Ndryshe nga takimet e tjera, Rama këtë radhë zgjodhi ta mbante fjalën e tij në sheshin e Flamurit. Një ditë më parë, kryeministri u akuzua nga opozita se administratës i janë bërë presione për pjesëmarrje në këtë takim e për këtë u publikuan dhe SMS, pretendime këto të cilat kryetari i bashkisë së Vlorës Dritan Leli i hodhi poshtë si të pavërteta e foli për profile që nuk janë reale. Ndërkohë, pak përpara nisjes së protestës së opozitës, Rama u shfaq i relaksuar në një kafene të qytetit bregdetar.

Top Channel