Në prag të kremtimit të 11-vjetorit të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, i ka dërguar një mesazh urimi homologut të tij në Prishtinë, Hashim Thaçit.

Duke shprehur mirënjohje për të gjithë vizionarët dhe heronjtë që luftuan dhe sakrifikuan për këtë ditë, Meta u shpreh urimet presidentit të Kosovës Thaçi dhe autoriteteve shtetërore në Prishtinë.

Në mesazhin e tij, presidenti Meta vë theksin edhe njëherë te bashkëpunimi vëllazëror mes dy vendeve dhe premton se do të vazhdojë të përkrahë çdo ndërmarrje që bashkon edhe më shumë të dy vendet.

“Përvoja shumë e mirë që kemi dhe vullneti i përbashkët për të forcuar më tej bashkëpunimin dypalësh, në përçim të vlerave më të mira kombëtare dhe europiane, na angazhojnë të punojmë më shumë në të gjitha rrafshet. Bashkëpunimi ynë vëllazëror të bëhet shembull që udhëheq modelin e marrëdhënieve në rajon. Si President i Republikës së Shqipërisë do të vazhdoj të jem përkrahës i vendosur në këto ndërmarrje që i afrojnë gjithnjë e më shumë dy shtetet tona, dhe që përbashkojnë të gjithë rajonin në familjen europiane dhe euro-atlantike”, shkruan ndër të tjera presidenti Ilir Meta.

Top Channel