Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), Edmond Panariti, e konsideroi të paligjshëm përdorimin e gazit lotsjellës ndaj turmës nga ana e policisë.
“A është i ligjshëm dhe i moralshëm përdorimi i gazit helmues lotsjellës në protestën qytetare? Përdorimi i gazit lotsjellës është i ndaluar për t’u përdorur në operacione ushtarake sipas konventës për ndalimin e përdorimit të armëve kimike të vitit 1993. Shqipëria e ka firmosur këtë konventë krahas 190 vendeve të tjera”, shkruan në Facebook deputeti i LSI-së.
“Përdorimi në mënyrë të kufizuar i këtij gazi për të neutralizuar persona të dhunshëm është i parashikuar, por vetëm nën kontroll procedurial rigoroz dhe të orientuar ekskluzivisht ndaj individit dhe individëve të dhunshëm. Madje, edhe në të tilla raste, duke qenë se rrymat e ajrit mund ta përhapin me lehtësi këtë gaz, zakonisht për neutralizimin e individëve të dhunshëm përdoret gaz “spray” me rreze të kufizuar. Kurrsesi ky gaz neuroparalitik nuk mund të përdoret ndaj turmës, siç ishte rasti i sotëm! Kjo është e paligjshme! Qytetarë paqësorë, gazetarë, kameramanë përjetuan të vjella, turbullim të pamjes, bllokim të frymëmarrjes, kollë, teshtima, pengesa në gëlltitje, verbim të përkohshem, dhimbje… Ishte vërtet dramatike”, shton Panariti.
Top Channel