Arben Ahmetaj nuk është më ministër i Financave, por pak muaj pasi ka kaluar në Parlament paketën fiskale për 2019, ka propozuar kësaj radhe si deputet një ndryshim për ligjin e TVSH-së duke futur në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar edhe reklamat në median “online”.

TVSH do të jetë e reduktuar në nivelin 6% dhe sipas relacionit të paraqitur thuhet se kjo masë barazon taksimin me median audiovizuale. Gjergj Erebara, gazetar i çështjeve ekonomike që punon për rrjetin BIRN thotë se kjo masë krijon pasiguri dhe pabarazi në treg: “Problemi është se si do të mund të zbatohet kjo gjë për raste, fjala vjen, të platformave ndërkombëtare si Facebook ose si Tëitter ose si Google, a do të shkojë qeveria shqiptare që të mbledhë taksë për reklamat që bëhen në këto faqe interneti nga Shqipëria? Fjala vjen, një reklamë shqiptare del te faqja e “New York Times”, por ajo nuk paguan TVSH, ndërsa një reklamë që del në çfarëdolloj faqe publikimi “online” shqiptar paguan TVSH”.

Erebara shton se të gjitha ndryshimet në skemën e TVSH-së për vitin 2019 kanë krijuar kaos në treg: “U miratua me urgjencë në seancë plenare dhe nuk u morën vesh nga askush. Në mes të janarit filloi të merret vesh se çfare ka ndodhur. Librarët filluan të mësojnë që ka vendosur TVSH për librin, por ndërkohë ne jemi data 15 shkurt dhe Ministria e Financave nuk ka zbardhur akoma udhëzimin se si do të zbatohet kjo dhe ndërkohë TVSH-ja ka filluar nga 1 janari”.

Në fakt, ndryshimet e shpeshta fiskale janë kritikuar edhe nga FMN-ja, pasi, sipas saj, kanë krijuar paqartësi si për biznesin, ashtu edhe për administratën tatimore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA