Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë jep me koncension ndërtimin e 4 HEC-eve në kaskadën e lumit Shushicë, një vit para se të kërkojë leje tek Agjencia e Menaxhimit të Ujërave, ish-KKU. Kërkesa nga Ministria është bërë para dy muajsh, ndërsa agjencia nuk ia ka miratuar lejen në parim. Nga ana tjetër, Ministria e Mjedisit ka miratuar “lejen mjedisore”, por banorëve nuk iu kanë marrë miratim, ndryshe nga sa deklarohet në leje.

Banorët e zonës së lumit Shushicë, të njësive administrative Brataj dhe Kote, nëpërmjet kryetarëve të fshatrave kanë bërë një peticion drejtuar Prefekturës së Vlorës, e për dijeni të kryeministrit, lidhur me ndërtimin e këtyre HEC-eve. Ata pretendojnë se, në 9 fshatra që preken nga ky projekt, vetëm 19 banorë janë shprehur dakord për ndërtimin e HEC-eve, pjesa tjetër janë kundër.

Në datën 10.03.2017, Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka njoftuar fituesin e koncesionit, duke lajmëruar pranimin e ofertës së paraqitur më 20 shkurt 2017 nga bashkimi i përkohshëm i shoqërive “GR Albania sh.p.k.”, “Trema Engineering 2 sh.p.k.” dhe “Alb-Star”. Ndërtimi i kësaj vepre i është dhënë për 35 vite me koncension bashkimit të 3 shoqërive, të cilat krijuan “Shushica Hydropoëer”. Kontrata është lidhur më 14.09.2017. Si objekt i saj është ndërtimi i kaskadës së hidrocentraleve mbi lumin Shushicë, të tipit BOT, (Ndërto-Opero-Transfero). Prodhimi, transmetimi dhe shitja e energjisë elektrike të prodhuar nga kaskada e HEC-it mbi lumin Shushicë, shfrytëzimi dhe mirëmbajtja e kaskadës.

Kaskada e hidrocentraleve mbi lumin Shushicë përbëhet nga HEC-et Drashovicë, Kote, Gjorm dhe Brataj, të cilët do të shfrytëzojnë potencialin hidroenergjetik të pellgut ujëmbledhës të lumit Shushicë.

Ndërtimi i 4 HEC-eve do të prekë 9 fshatra, një prej të cilëve edhe Drashovica, fshat turistik pjesë e projektit “100 fshatrat”.

Për ndërtimin e kësaj, në prill të vitit 2018 është miratuar edhe leja mjedisore, vlerësimi i ndikimit në mjedis i thelluar. Pak muaj pas miratimit të kësaj leje, në deklaratën mjedisore të bërë nga Ministria e Mjedisit, kjo e fundit është shprehur se janë bërë dëgjesa publike dhe banorët nuk kanë shprehur asnjë kundërshti. Gjithashtu, në një nga pikat e kësaj deklarate janë lënë disa detyra për t’u marrë parasysh, lidhur me ndikimin në mjedis të këtyre HEC-eve, sidomos lidhur me menaxhimin e mbetjeve që do të gjenerohen, si dhe pyjet e kullotat që do të preken.

Me marrjen e njoftimit për ndërtimin e HEC-eve, kryetarët e 9 fshatrave, me kërkesën e banorëve kanë bërë një peticion drejtuar prefektit të Qarkut të Vlorës dhe për dijeni të kryeministrit. Ata kërkojnë pezullimin e kësaj leje koncensionare. Në këtë peticion, ku kanë firmosur të gjithë banorët mbi 18 vjeç, vetëm 19 prej tyre janë shprehur pro ndërtimit. Pjesa tjetër, jo vetëm që e kundërshtojnë dhe kanë protestuar, por pretendojnë se nuk e kanë dhënë miratimin e tyre, siç pretendohet në lejen mjedisore.

Për “Fiks Fare”, ata deklaruan se lumi është burimi i tyre i vetëm i të ardhurave për bujqësinë, blegtorinë, turizmin. Lumi do të futet në tuba dhe, sipas firmës që do të ndërtojë, gjatë verës në disa pjesë të shtratit do të jetë i tharë. Administratorët e njësive Kotë dhe Brataj u shprehën se punimet nuk kanë filluar ende, dhe se ata zyrtarisht nuk kanë marrë asnjë njoftim. Njoftim lidhur me këtë projekt nuk kishte as prefekti i Qarkut të Vlorës, Flamur Mamaj, i cili tha për “Fiksin” se në dijeninë e tij dhe përgjigjen zyrtare, ky projekt nuk ka marrë miratimin e Këshillit Kombëtar të Ujit. Megjithatë, ata do ta ndjekin këtë procedurë me prioritet, duke pasur parasysh ankesat e banorëve.

“Fiksi” intervistoi Albert Lenjën, përgjegjës pranë Agjencisë Kombëtare të Ujërave, ish-Këshilli Kombëtar i Ujit,i cili deklaroi se Ministria e Energjetikës, para se të lidhte kontratën e koncesionit, ligjërisht duhej të kishte aplikuar pranë agjencisë për miratimin në parim të këtyre HEC-eve. Kjo kërkesë, sipas tij, jo vetëm nuk ka ardhur para se lidhej kontrata, më shumë se një vit më parë, por është bërë vetëm para dy muajsh.

Por, edhe në këtë kohë, miratimi nuk është bërë për shkak të mungesës së dokumentacionit. Sipas tij, ky nuk është rasti i parë që pranë kësaj agjencie nuk merret miratimi në parim lidhur me dhënien me koncension të lumenjve për ndërtimin e HEC-eve.

“Kemi ngritur zërin që ligji të respektohet”, theksoi Lenja.

FOTO GALERI
2/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA