Ambasada Amerikanë në Tiranë ka reaguar pas thirrjeve të opozitës për pjesëmarrjen në tubimin e 16 shkurtit, ku përflitet se mund të ketë dhe akte dhune.

Në një deklaratë zyrtare, ambasada e SHBA-së thekson se qytetarët kanë të drejtë të mblidhen dhe të protestojnë kundër qeverisë, por dhuna ndaj njerëzve dhe apo pronës private është e papranueshme.

Më tej ambasada i bën thirrje udhëheqësve të partive politike që do protestojnë të shtunë që të refuzojnë dhunën dhe të sigurojnë një tubim paqësor.

“E drejta e qytetarëve për t’u mbledhur, për t’i bërë kërkesa qeverisë dhe për të protestuar për ndryshim pozitiv janë simbole të një shoqërie demokratike të lirë dhe të shëndetshme. Është një e drejtë që ushtrohet shpesh në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, kjo e drejtë duhet ushtruar paqësisht. Dhuna kundër njerëzve ose pronës është e papranueshme. Ne iu bëjmë thirrje të gjithë atyre që janë përfshirë në protestën e së shtunës, dhe të gjithë udhëheqësve politikë shqiptarë, të refuzojnë dhunën dhe të sigurohen që protestat të zhvillohen paqësisht dhe në mënyrë konstruktive”, thuhet në deklaratën e Ambasadës Amerikane.

Top Channel