Inside Story/ Luftë që nuk kursen askënd, tritol grave të të fortëve të Vlorës dhe zhdukje mafioze… Një seri atentatesh me vrasje të porositura janë kryer përgjatë këtyre viteve, mes biznesmenëve të kromit.
E fundit në radhë është vrasja e biznesmenit 35-vjeçar, Gjin Nika, në prill të vitit 2014. Ai vritet me breshëri kallashnikovi pranë urës së Tapizës, në Fushë-Krujë, së bashku me mikun e tij, Fabio Xhunga, teksa udhëtonin me një motor.
Nika njihej si “i fortë i zonës” dhe dyshohej për disa vrasje për konfliktet në biznesin e kromit. Ai ishte arrestuar për ekzekutimin e biznesmenit tjetër të kromit, Hasan Talja, por ishte liruar për mungesë provash.
Ky i fundit u vra në një pritë në zonën e “Tregut elektrik” në Tiranë. Në vitin 2013, në një pikë servisi në periferi të Bulqizës mbeti i vrarë me armë zjarri edhe biznesmeni tjetër i kromit, Qerim Marku. Edhe për këtë ngjarje, i dyshuar ishte biznesmeni që do të ekzekutohej një vit më pas, Gjin Nika.
Po në vitin 2013, në muajin prill, në Bulqizë do të vritej biznesmeni 40-vjeçar, Shefqet Shehu, ndërsa do të plagosej vëllai i tij, Vehab Shehu. Ata ushtronin aktivitetin e tyre në “Zonën D” të minierës.
Vitet e fundit, nëpërmjet një ligji që ka hyrë në fuqi nga Qeveria “Rama” për zhdukjen e parcelizimit, numri i krimeve duket se është shuar. Megjithatë, hasmëritë mes familjeve janë ende të hapura.
Top Channel