“Top Story” u ndal në minierën e madhe që ndodhet në zonën veriore të masivit të pasur me krom. Kjo minierë funksionon me nivele që shkojnë vertikalisht deri në 1.450 metra nën sipërfaqen e tokës.
“Top Story” vëzhgoi brenda një miniere, për të kuptuar vështirësitë e punës së një minatori.
“Ky është ashensori, do të shkojmë në nivelin e 5-të, 420 metra. Ky është horizonti i nivelit 5. Lidh pusin 3 me 8, horizont transporti që lëvizin punonjësit dhe minerali, këtu del minerali. Kjo ka rrymë të vazhdueshme, shërben për lëvizjen e elektrovozit. Këto janë ujëra nëntokësorë që ka bërë sonda. Gjithë uji del me pompa nga niveli 5 sipër”, tha inxhinieri Ernold Cupi.
Për të arritur në frontet e gërmimit të mineralit duhet shkuar shumë më poshtë, pasi nivelet e sipërme janë shfrytëzuar ndër vite.
“Këtu jemi ku ndahet niveli 5 me 7. Ky mineral ka dalë nga niveli 7, niveli 7 është 70 metra poshtë këtij horizonti, këtu kemi steril dhe mineral. Ky është minerali, ky sterile, dallohet se kromi ka shkëlqim”, tha inxhinieri Ernold Cupi.
Kjo është salla që komandon ashensorët e minierës. Këtu vëmendja është maksimale, pasi një gabim mund t’i kushtojë jetën minatorëve.
Aty ndodhet një punëtor i kompanisë kineze, e cila sot punon në thellësinë e pusit numër 9, aty ku pak kohë më parë humbën jetën 3 punonjës kinezë, si pasojë e shpërthimit të gazit metan.
“Ky është projekti i thellësisë, është pusi 9. Fillon nga niveli 5 në 21, tani kinezët po punojnë në nivelin 21, ky pus shton jetëgjatësinë e minierës mbi 20 vite”, tha inxhinieri Ernold Cupi.
Teksa “Top Story” vijon rrugëtimin nëpër galeri, në njërën prej tyre hasin me dy ekspertët amerikanë të sigurisë në miniera, Dave Turcotte dhe David Lauriski. Misioni i tyre është vlerësimi i kushteve të sigurisë teknike.
“Arsyeja pse jemi këtu është të inspektojmë minierën për të parë sigurinë brenda saj. Për të parë mundësinë për të përmirësuar sigurinë, të vëmë në dispozicion njohuritë tona. Pjesë e procesit është inspektimi i zonave të ndryshme në minierë. Ne po shohim sesi menaxhohet siguria, po shohim kushtet, për shembull tavanet, muret, dyshemenë, kemi parë elektricitetin, ambientin përreth dhe një sërë gjërash të tjera. Për të parë nëse përdoren praktikat më të mira të sigurisë. Ende nuk kemi arritur në konkluzione në këtë pikë, pasi kemi ende kohë për të shpenzuar këtu”, tha David Lauriski, ekspert i sigurisë në punë.
Top Channel