Batërdia në minierën e Bulqizës është shkaktuar nga fenomeni i parcelizimit përmes lejeve pa kriter, për njerëz të lidhur me politikën.

Ish-kryeministri Fatos Nano dha lejen e parë koncesionare për kompaninë italiane “Darfo”, në vitin 2001. Por, shkatërrimi i vërtetë i këtyre burimeve natyrore ndodhi gjatë Qeverisë “Berisha”, në vitet 2006-2013. Aty u krijua parcelizimi nëpërmjet 42 lejeve të dhëna ndaj kompanive të ndryshme.

Të gjitha lejet ishin në kufijtë e koncesionarit që dha ish-kryeministri Nano, në zonën D dhe në zonën e Parë.

“Ai është unik si vendburim, është kompleks punimesh si minierë, e kur e copëton krijohen probleme të mëdha edhe të marrëdhënieve njerëzore, por në mënyrë të veçantë krijohen probleme të mëdha teknike”, tha ish-drejtori i minierës në Bulqizë, Martin Cukalla.

“Bulqiza, si një minierë e tërë dhe e veçantë, jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Europë dhe botë, për karakterin e hapjes, përgatitjes dhe shfrytëzimit të saj, nuk ishte e drejtë një ndarje që iu bë, por do të ishte më e drejtë të përqëndroheshe në një subjekt të vetëm”, tha Ismail Mema, ish-drejtor i minierës në Bulqizë.

Parcelizimi i minierave, një ide e Qeverisë së Berishës, do të shkakonte shumë viktima. Nga punimet në minierë, shpesh kishte mbivendosje. Pra, parcela të caktuara u ishin dhënë më shumë se një subjekti për shfrytëzim.

“Top Story” pasqyron një skemë, një shembull konkret mbi atë që ka ndodhur në Bulqizë, ku dy subjekte kanë qenë në mbivendosje mes tyre. Veç mbivendosjeve ishte edhe fenomeni i thellimit të galerive, përtej kufijve nga subjektet.

“Në këto situata mund të krijohen konflikte në marrëdhëniet mes njerëzve, por krijohen situata dramatike në ekuilibrat e shkëmbit nëntokë”, tha ish-drejtori i minierës në Bulqizë, Martin Cukalla.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA