Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Arsimit mbajnë peng shpalljen e kandidateve fitues në krye të 41 shërbimeve universitare në vend.
Shefat e aktualë, të cilët janë përzgjedhur në korrik të vitit 2011 u ka mbaruar afati që në gusht të vitit 2016 kur dhe duhej të ishin bërë zgjedhje të reja. Kjo bëri që shefat aktualë të drejtojnë shërbimet për afro 8 vjet. Edhe pse u zhvillua një konkurs në nëntor të viti 2018, proces i cili u mbyll po në fund të atij muaji nuk dolën publikisht emrat fituesve.
Komisioni që bëri vlerësimin e kandidatëve shpalli fituesit duke lajmëruar për rezultatin e konkursit secilin kandidat me letër të personalizuar. Kështu ata mësuan kush do të drejtonte shërbimet përkatëse, por fituesit nuk u shpallen publikisht. Duhej që lista me emrat e fituesve të merrte firmën e ministres së shëndetësisë dhe asaj të arsimit.
Por, kjo nuk ka ndodhur edhe pse kanë kaluar pothuajse dy muaj e gjysmë që kur mjekët kanë mësuar për emrat fitues. Ndërkohë që disa kandidatë për shefa shërbimesh si endokrinologji, kirurgji pediatrike, shërbimi i reumatologjisë, dermatologji e të tjerë janë duke zhvilluar seanca gjyqësore në gjykatën administrative.
Ata kane ankimuar te gjithë procesin duke paditur gjithashtu edhe komisionin që ka përzgjedhur fituesit. Top Channel ka insistuar disa herë të marrë një përgjigje pranë ministrisë së shëndetësie në lidhje me mos zyrtarizimin e emrave fitues, pasi kanë kaluara të gjitha afatet ligjore, por nuk ka marrë përgjigje.
Vetëm këtë të mërkurë ministrja e shëndetësisë Manastirliu si për t`u shfajësuar është shprehur se ajo e ka firmosur, por ka mbetur tek Ministria e Arsimit duke ia pasuar vonesat koleges Shahini.
Ndërkohë që menjëherë pas publikimit të emrave fitues që do të drejtojnë 41 shërbime do të vijojnë të tjera seanca gjyqësore ndërmjet kandidatëve humbës dhe atyre fitues në disa shërbime ku pretendohet se nuk janë respektuar kriteret që lidhen me mos pasjen e diplomës së përshtatshme apo me konfliktin e interesit.
Top Channel