Gani Dizdari përfundimisht është jashtë sistemit të drejtësisë. Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) ka lënë në fuqi vendimin e shkarkimit për gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, Gani Dizdari.

Ai u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) në datë 16 korrik të vitit të kaluar, pasi nuk kaloi dy komponentët bazë të Vetting-ut, pasurinë dhe kontaktet me botën e krimit.

Por, anëtrari i Kushtetueses nuk u pajtua me vendimin e komisionit të vettingut duke e apeluar. Pas shqyrtimit të ankimit, në datë 12 shkurt trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit kryesuar nga Ina Rama, relatore Natasha Mulaj dhe anëtarë Ardian Hajdari, Luan Daci, Rezarta Schuetz vendosi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit duke vulosur përfundimisht shkarkimin.

Gani Dizdari ka qenë zv/Prokuror i Përgjithshëm, anëtar i Gjykatës së Lartë dhe së gjyqtar kushtetues. Me përjashtim të Vitore Tushës, të gjithë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese u dogjën nga Vetting-u duke e nxjerrë jashtë funksionit këtë institucion.

Shumë çështje presin të gjykohen nga Kushtetuesja, madje edhe ato që kanë impakt në publik dhe ku janë përzier edhe institucionet më të larta të vendit, por që janë pezull.

Top Channel