Të shtunën, opozita zhvillon protestën e parë kombëtare për këtë vit, për largimin e Edi Ramës. Udhëheqësit e opozitës kanë folur për rrethim të Kryeministrisë, ndërsa aleatët zbulojnë detaje nga skenari i së shtunës.

“S’e kemi besuar kurrë se në pushtet vihet me të vrarë dhe viktima. PS e ka ndërtuar në këtë mënyrë, kështu e ndërtoi 21 Janarin”, tha Petrit Vasili.

“Do të jetë e vazhdueshme, nuk do të shuhet pa ikur kryeministri”, tha Dash Shehi.

“S’e besoj se do të jetë i matur të luftojë me qytetarët e tij, apo të përdorë një klikë kriminelësh, pasi në rast se do t’i përdorë, dihet që çdo trupë shtetërore është më e vogël sesa populli”, tha Petrit Vasili.

“Është protestë paqësore, kush bën thirrje apo aludime që do të ketë dhunë i shërben vetëm dhunës. Edhe nëse brenda turmës ka 10 deri 15 vetë me redorde kriminale, edhe mundet, por kjo s’e bën kriminale protestën, se ne kaq kriminelë kemi në Parlament”, tha Dashamir Shehi.

Demokristianët japin disa opsione sesi mund të shkojë protesta, ndërsa republikanët tregohen më të kujdesshëm në deklarime.

“Rama përballet me protestën e fundit, kuksianët e treguan sesi zmbrapset kryministri nga rruga e tij. Ky nuk është manifestim me lule dhe opozita ka marrë masat për ta menaxhuar që të mos ketë veprime ekstreme, por që do të ketë probleme, kjo është e padiskutueshme dhe ndihet”, tha Nard Ndoka.

“Edi Rama nga pikëpamja ligjore ështe i rrëzur, është kryeministri i një procesi të manipuluar, ndaj besoj se ështe në kurriz të shqiptarëve dhe të ardhmes europiane, nëse do të vijojë kjo lloj qeverisjeje. Rrugët ligjore dhe kushtetuese, opozita duhet t’i përdorë”, tha Fatmir Mediu.

Largimi i Edi Ramës do t’i hapte rrugë – sipas opozitarëve, – një qeverie tranzitore, e cila do të përgatiste vendin për zgjedhje të parakohshme. Por, kush mund të ishte një kryeministër i pranueshëm nga opozita?

“Për kryeministrin do të biem dakord të gjitha palët, Mund të jetë edhe një socialist i moderuar, nuk na prish ndonjë hall të madh, por do të jetë një kryeministër që do të përfaqësojë të gjithë shqiptarët”, tha Dashamir Shehi.

Top Channel