Një ndryshim në paketën fiskale të këtij viti, për TVSH-në e produkteve bujqësore, ka bërë që industria agropërpunuese dhe eksportuesit të kenë kosto shtesë.
Problemi qëndron se ky sektor, blerjen e produkteve bujqësore e bën me TVSH 6 për qind, ndërsa shitjen me TVSH 20%. Kjo diferencë krijon një rritje të kostove dhe çmimeve.
Mirel Çaça, agropërpunues, thotë se duhet ndërhyrë për të barazuar tarifimin si në blerje, ashtu dhe në shitje, pasi bëhet fjalë për produkte ushqimore të konsumit të përditshëm.
“Ne gjendemi në një situatë kur, edhe sikur produktin ta shesim pa asnjë lloj marzhi, të paguajmë 14 për qind, e kjo do të ndikojë shumë në çmimet e shitjes apo në çmimin e blerjes”, tha Mirel Çaça.
Nedret Arapi është eksportuese produktesh bujqësore dhe thotë se, me këtë mënyrë taksimi nuk konkurrojnë dot me shtetet e tjera.
“Po nuk pata pak përkrahje nga shteti shqiptar, si do t’ia dal unë? Maqedoninë nuk e konkurroj dot, Greqinë jo e jo sepse ka të tjera ligje, por unë duhet të jem konkurrente me ta”, tha Nedret Arapi.
Kurse Alban Zusi, që përfaqëson Industrinë shqiptare Agropërpunuese, thotë se dëmi është i konsiderueshëm.
“Sipas përllogaritjeve tona, kjo kosto e tejkalon vlerën e 100 milionë euro në vit”, tha Alban Zusi.
Agropërpunuesit paralajmërojnë se kjo situatë mund të çojë në rritje të informalitetit, gjë që ndikon drejtpëtdrejt te siguria ushqimore.
Top Channel