Një efektiv i forcave të rendit në Gruemirë të Malësisë së Madhe u arrestua për ngacmimin seksual të një 15-vjeçareje.
Pas denoncimit në portale dhe shfaqjes së pamjeve ku inspektori i policisë bën veprime të turpshme, Berhan Bajrakurti përfundoi në pranga. Janë pikërisht këto pamje që i gjeti në telefonin e së bijës ato që e shtynë nënën e 15-vjeçares të bënte edhe denoncimin publik.
Nëna e saj është shprehur për portalin Neësbomb se Bajrakurti i kishte kërcënuar në Komisariatin e Koplikut ku shkuan për ta denoncuar, ndaj ajo u detyrua ta bënte publik rastin. Më pas, nëna thotë se ka shkuar të takojë drejtorin e Policisë Shkodër, por nuk ia ka dalë dhe atje i kanë thënë jozyrtarisht se s’duhet të merret me malësorët se ata janë të paprekshëm.
Sipas nënës, inspektori i Gruemirës, një burrë i martuar dhe me fëmijë, e përndiqte vajzën e saj duke e ftuar të hipte në makinë si dhe i dërgonte video me veprime të turpshme.
Top Channel u interesua për këtë rast dhe në Drejtorinë e Policisë Shkodër dhe Komisariatin e Koplikut, ku deklarojnë se nuk është regjistruar asnjë denoncim. Ndërkohë, në lidhje me policin e arrestuar Berhan Bajrakurti, mësohet se ai është rikthyer në detyrë pas vitit 2013, kohë para së cilës ishte i liruar, në një lëvizje që, siç thonë burimet, ishte bërë me sfond partiak.
Top Channel