Manchester City shkatërroi Chelsea-n teksa e mundi me rezultatin tenistik 6-0, duke i shkaktuar “Bluve” të Londrës humbjen më të thellë në Premier League që nga viti 1991.
Është ky një rezultat që vë në dyshim edhe të ardhmen e trajnerit Maurizio Sarri, gjë që e pranoi vetë tekniku italian në konferencë për shtyp kur u pyet në lidhje me këtë çështje: “Nuk e di. Duhet të pyesni drejtuesit e klubit. Unë shqetësohem për skuadrën time dhe paraqitjet e saj. Por, puna ime është gjithnjë në rrezik”.
Chelsea u dominua totalisht nga Manchester City në këtë ndeshje, teksa pa që në 25 minutat e para pësoi plot 4 gola. Sarri deklaroi se skuadra gaboi shumë në këtë ndeshje, duke nisur që nga mënyra sesi lejoi të pësohej goli i parë, por ai nuk i hoqi asnjë meritë skuadrës së City për lojën e zhvilluar.
Sfida në “Etihad Stadium” pati momentin polemizues me protagonist pikërisht Sarrin, i cili nuk i dha dorën kolegut të tij Guardiola në përfundimin e sfidës.
“Në atë moment doja vetëm të shkoja në dhomat e zhveshjes. Më pas shkova ta takoj, siç bëj gjithmonë”, deklaroi Sarri.
Edhe vetë Guardiola ndërhyri në këtë çështje duke shuar polemikat e duke deklaruar se Sarri nuk e vuri re që po afrohej, ndërkohë që i doli edhe në mbrojtje përsa i përket ndeshjes: “Nuk është normale që të fitosh 6-0 ndaj Chelsea. 4 gjuajtjet e para në portë i kthyem në gola. Në 20 minutat e fundit të pjesës së parë vuajtëm pasi lojtarët e Chelsea janë në gjendje që të qarkullojnë topin. Ishte një fitore dhe një kënaqësi e madhe. E di si luan Sarri, më ka vënë në vështirësi në Napoli dhe po e bën edhe këtu”.
Në renditjen e Premier League, Manchester City dhe Liverpooli janë në krye të renditjes me 65 pikë secila, por skuadra e Jurgen Klopp ka një ndeshje më pak në krahasim me Citizens.
Top Channel