Në pjesën e tretë të emisionit “Open” nga Eni Vasili është diskutuar mbi Reformën në Drejtësi, e veçanërisht për strukturën e re hetuese të antikorrupsionit mes zyrtarëve të lartë në vend.

Një pyetje e rëndësishme që ngrihet në këto ditë është ajo që ka të bëjë me faktin se përse po stepen prokurorët të aplikojnë për t’u bërë pjesë e kësaj strukture.

Një prej argumenteve të dhëna prej të ftuarve në studio, por edhe nga avokati Adriatik Lapaj, është frika e përballjes me skanimin në procesin e vettingut, ku janë parë shpesh vendime me standarde të dyfishta.

“Shumë prej atyre që e quajnë veten të mirë, ndoshta po ngurrojnë sepse nuk duan të përballen me valën e parë të vettingut. Ndoshta duan të presin të bjerë vrulli i këtij skanimi kaq të rreptë aktualisht, apo ka edhe nga ata që mund të ndihen të djathtë që shpresojnë të ndërrohet qeveria e më pas të kenë një mundësi për të garuar. Por sigurisht janë edhe kriteret shumë të rrepta që kanë vendosur për çdo kandidat, duke nisur nga eksperienca shumëvjeçare, deri te heqja dorë nga privatësia”, tha avokati Lapaj.

Ai shprehu gjithashtu faktin se një pjesë ndikimi kanë pasur edhe vendimet e deritanishme të dhëna nga KPK dhe KPA.

“Kanë ikur prokurorë e gjyqtarë që kanë sekuestruar deri në 3 mln euro pasuri të dyshimtë, janë hedhur në rrugë prej vettingut, pse ‘shkoi të varroste nipin që dikur kishte bërë një krim’”, deklaroi avokati, duke futur edhe sarkazmën në fjalën e tij.

Top Channel