Shteti islamik, apo më saktë ajo çfarë ka mbetur prej tij, po u bën rezistencë të ashpër forcave demokratike siriane të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa nisën sulmin ndaj enklavës së fundit të kontrolluar nga militantët e dhunshëm islamikë në lindje të Sirisë, pranë kufirit me Irakun.
Një zëdhënës i SDF-së i tha Associated Press se ata që po mbrojnë fortesën e mbetur të ISIS-it në vend, janë xhihadistët më me eksperiencë. Dy vjet më parë, grupi i dhunshëm kontrollonte pjesë të tëra të Sirisë dhe Irakut, por është shtyrë vetëm në një xhep të vogël të provincës siriane, Deir al Zour.
Pas një pauze më shumë se një javore, e cila duhet t’u lejonte 20.000 civilëve largimin nga zona, u vendos nisja e ofensivës finale për të shtypur përfundimisht ISIS-in, ndërsa fushëbeteja është fshati kufitar Baghuz.
Luftimet janë të ashpra, siç thotë zëdhënësi; duke pasur parasysh se çfarë xhihadistët janë mbledhur atje, mund ta imagjinoni vetë egërsinë e betejës, shton ai.
Forcat demokratike siriane janë një aleancë kurdësh, paraushtarakësh arabë e asirianë dhe turkmenësh. Pavarësisht humbjeve të thella që ka pësuar, ISIS, sipas OKB-së, ka ende 14.000 deri në 18.000 militantë në Irak e në Siri, 3000 nga të cilët janë të huaj.
Top Channel