Universiteti “Fan Noli” në Korçë ka kaluar në një stad tjetër sa i takon zgjidhjes së problematikës së teksteve mësimore për studentët.

Përmes një vendimi, Rektorati i Universitetit ka vendosur ngritjen e komisioneve dhe grupeve të posaçme pranë çdo fakulteti, të cilat do të studiojnë dhe analizojnë të gjitha tekstet, para se ato t’u ofrohen studentëve.

Një tjetër hap është hedhur edhe sa i takon pajisjes së studentëve me këto tekste mësimore. Ato do të kenë mundësinë, që jo vetëm t’i blenë në rastet kur kanë interes, këto tekste me koston e prodhimit, por do t’i gjejnë ato edhe në bibliotekat respektive të çdo fakulteti, duke pasur mundësinë t’i kenë ato në dispozicion pa asnjë kosto.

Studentët pohojnë se ky vendim do të thotë disa lekë më pak kosto për ta dhe për familjet e tyre, ndërkohë që është një mekanizëm i mirë edhe për të mos i lejuar pedagogët që t’u imponojnë blerjen e teksteve.

Vendimi i Rektoratit për të rishikuar sesi studentët pajisen me tekstet mësimore ka ardhur si rrjedhojë e kërkesave të parashtruara gjatë protestës disajavore. Ndërkohë, studentët i janë rikthyer normalitetit dhe janë ulur në auditorë, duke vazhduar kështu procesin mësimor, por sigurisht me rrethana të përmirësuara.

Top Channel