Dy vite pas masakrës së 2017-s, kanadezi që vrau besimtarët në xhaminë e qytetit të Quebecut në Kanada është dënuar me burgim të përjetshëm. Alexandre Bissonnette, tashmë 29 vjeç, do të mund të shfrytëzojë të drejtën për liri me kusht vetëm pas 40 vitesh, kur të ketë mbushur 67 vjeç.

Prokurorët në fakt kishin kërkuar një dënim prej 150 vitesh prapa hekurave, gjë që do të shënonte dënimin më të rëndë me burg të dhënë ndonjëherë në Kanada.

Por, gjykatësi Francois Huot zgjodhi ta lejonte Bissonnette të kërkonte liri me kusht brenda limiteve të jetës së tij. Teksa lexonte vendimin për ta ndëshkuar, gjykatësi i Gjykatës Supreme të Quebeckut tha se “dënimi nuk duhet të konsiderohet si hakmarrje”.

Në Kanada, një dënim për vrasje të gradës së parë çon automatikisht në dënim të përjetshëm, pa asnjë mundësi për të kërkuar liri me kusht për të paktën 25 vite.

Mbrëmjen e 29 janarit të vitit 2017, Bissonnette mësyu Qendrën Kulturore Islamike të Quebecut dhe qëlloi me armë ndaj besimtarëve që po kryenin ritet, duke lënë të vdekur 6 persona dhe duke plagosur në gjendje të rëndë 5 të tjerë, përfshi Aymen Derbali, tashmë i paralizuar.

Në mars të vitit të kaluar, Bissonnette pranoi të kishte vrarë Khaled Belkacemi, 60 vjeç; Azzedine Soufiane, 57 vjeç; Abdelkrim Hassane, 41 vjeç; Mamadou Tanou Barry, 42 vjeç; Aboubaker Thabti, 44 vjeç; si dhe Ibrahima Barry, 39 vjeç, në atë sulm të rëndë.

Ai pranoi gjithashtu fajësinë për 6 akuza për “tentativë vrasjeje”, përfshi një për 35 personat që ishin të pranishëm në xhami asokohe, por që iu shpëtuan mrekullisht të shtënave.

“Më vjen turp për çfarë kam bërë – tha ai në sallën e gjyqit vjet. – Nuk jam terrorist, as një islamofob”.

Gjykatësi Huot tha se veprimet e Bissonnette ishin të motivuara nga paragjykimi, ndërsa theksoi se ai kishte edhe probleme të shëndetit mendor. Si prokurorët, ashtu dhe avokatët mbrojtës deklaruan se do të merrnin kohë për të analizuar vendimin tejet të gjatë të gjykatësit, për të shqyrtuar mundësinë e apelimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA