Në Kukësin bastion të demokratëve, Lulzim Basha u prit me brohorima. Kreu i PD-së akuzoi Qeverinë se, me politikat e saj ka synuar spastrimin e kuksianëve, duke i detyruar të largohen nga vendi.

“Edi Rama ka ndjekur me Kukësin një politikë spastrimi dhe zbrazjeje. Ai e ka mbështjellë të gjithë urrejtjen e tij ndaj shqiptarëve me masat që ka marrë në raport me Kukësin”, tha Basha.

Basha premtoi se, me ardhjen e demokratëve në pushtet do të zhbëhen të gjitha ato vendime që kanë dëmtuar Kukësin, duke filluar nga taksa e “Rrugës së Kombit” dhe mbyllja e universitetit.

“Duke nisur me anulimin e traut që ka vënë për t’iu ndarë nga pjesa tjetër e Shqipërisë. Taksa do të zerohet. Plani i tij për ta shkretuar Kukësin do të marrë fund. Një nga hapat kryesorë në këtë drejtim do të jetë rihapja e Universitetit të Kukësit. Do të subvencionojmë me paratë e shtetit praninë e pedagogëve, në mënyrë që këtu të jetë një qendër universitare e kërkimit shkencor, e trajnimit profesional”, tha më tej Basha.

Sipas kryedemokratit, vendi po qeveriset në kushtet e një grushti shteti, ndaj dhe ai ftoi mbështetësit e tij të mblidhen në Tiranë, më 16 shkurt, për të vendosur kryeministrin në gjendje shtetrrethimi.

“Më 16 shkurt, shtetrrethimin do ta keni ju në dorë. Ka popull, rrethojeni ju atje në Tiranë. Një gjë ju siguroj, marrëveshje me Edi Ramën nuk ka për të pasur më kurrë”, tha Basha.

Top Channel