Komiteti për të Drejtat e Fëmijëve, pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara, të enjten i kërkoi Japonisë të bëjë më shumë për të lënë fëmijët të jenë fëmijë, pa presione të tepruara ose ndëshkime trupore në shkollë ose në shtëpi.
Ruajtësi i të drejtave të njeriut pranë OKB-së u kërkoi gjithashtu autoriteteve japoneze të hetojnë shkaqet rrënjësore të rritjes së numrit të vetëvrasjeve të adoleshentëve, tani në një nivel të lartë prej 30 vjetësh.
“Ne i kërkuam Japonisë që të marrë masa për të siguruar që fëmijët të gëzojnë fëmijërinë e tyre, pa patur dëmtimin e fëmijërisë dhe zhvillimit të tyre nga natyra konkurruese e shoqërisë”, tha Kirsten Sandberg, një prej 18 ekspertësh të pavarur në panel.
Ligji japonez ndalon ndëshkimin trupor në shkolla, por ky ligj “nuk zbatohet në mënyrë efektive”, ndërsa shumë fëmijë gjithashtu e durojnë ndëshkimin edhe në shtëpi, tha panelisti i Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Japonia u trondit marsin e kaluar nga vdekja e 5-vjeçarit Yua Funato, i cili la shënime me dorë, ku u kërkonte prindërve të tij abuzivë, t’i kërkonin falje.
Panelisti i OKB-së kritikoi gjithashtu Japoninë për uljen e moshës minimale për dënim penal nga 16 në 14 vjet dhe tha se fëmijët shpesh u larguan nga familjet dhe u vendosën në institucione pa urdhër të gjykatës.
Masato Ohtaka, i ministrisë së jashtme të Japonisë, i tha panelit se fëmijët japonezë u përballën me sfida të tilla si ngacmimi, abuzimi, shfrytëzimi seksual dhe varfëria dhe se Japonia kishte për qëllim krijimin e një sistemi të fuqishëm shoqëror në të cilin të gjithë brezat mund të gëzonin paqen e mendjes.
Në korrik, qeveria japoneze premtoi hapa emergjente për të rritur numrin e punëtorëve të mirëqenies së fëmijëve me 60 për qind brenda pesë vjetëve.
Top Channel