Vodafone Albania ishte ofertuesi i vetëm për marrjen e një licence për rritjen e kapaciteteve 4G në territorin shqiptar.

Ankandi për dhënien e të drejtave të përdorimit në brezin e frekuencave 800 Megaherz qe shtyrë dy herë nga ana e AKEP-it, por kësaj radhe ofertat u hapën. Nga 3 të drejta të nxjerra për shitje, Vodafone Albania u tërhoq nga gara për dy licenca dhe ofroi çmim për vetëm një prej tyre. Vlera ishte 7 440 001 euro, 1 euro më shumë se çmimi dysheme i vendosur nga AKEP.

Kriteri i vlerës më të lartë të ofruar është i vetmi për t’u shpallur fitues dhe duke mos pasur ofertë tjetër, në këtë rast 1 euro më shumë se çmimi dysheme do të mjaftonte.

Komisioni i ankandit do të shqyrtojë të gjithë dokumentacionin e depozituar dhe më pas do të paraqesë raportin përmbledhës përpara Këshillit Drejtues të AKEP-it. Ky i fundit do të vendosë përfundimisht për dhënien e licencës. Procesi pritet të zgjasë rreth një javë.

Brezi i frekuencave që do të jepet në përdorim do të përfitohet nga lirimi i transmetimeve analoge të televizioneve. Licencat janë 15-vjeçare. Me marrjen e saj, fituesi duhet që brenda dy muajsh të fillojë shfrytëzimin e brezit të frekuencave 4G.

Top Channel