Për më shumë se dy orë në pallatin presidencial në Ankara, kryeministri Tsipras, që kryen një vizitë dyditore në Turqi, dhe presidenti i vendit Recep Tayyip Erdogan kanë biseduar shumicën e çështjeve për të cilat ndajnë mendime të kundërta, e që shpeshherë acarojnë edhe më tepër marrëdhëniet e trazuara midis dy vendeve fqinje.

Dy udhëheqësit kanë rënë dakord të mbajnë të hapura linjat e komunikimit, duke zgjidhur problemet që përballojnë përmes dialogut.

“Duhet të kemi një dialog të sinqertë, të rëndësishëm jo vetëm për të ardhmen e dy popujve tanë, por edhe për rajonin në tërësi”, tha Tsipras.

Por, në konferencën e përbashkët për shtyp, Erdogan ka kërkuar hapur deportimin e 8 ushtarakëve turq, të arratisur në Greqi pas tentativës për grusht shteti, një çështje për të cilën Athina dhe Ankaraja janë konfrontuar në rang diplomatik.

“Në takimin tonë, ne deklaruam përsëri se pritshmëria jonë nga miqtë tanë grekë është ekstradimi i puçistëve të FETO-s në vendin tonë. Në këtë drejtim, ne presim më shumë bashkëpunim nga fqinji ynë, Greqia”, tha Recep Tayyip Erdogan.

Përgjigjja e kryeministrit grek ka qenë se qeveria e tij respekton në këtë aspekt vendimet e drejtësisë. Gjithashtu, kur ka përmendur çështjen e minoritetit mysliman në Trakë, presidenti turk i ka quajtur pjesëtarët e tij homogjenë. Ndërsa nga ana e tij, Tsipras ka hedhur në tryezë, duke kërkuar zgjidhje, çështjen qipriote.

Të pyetur nga gazetarët, Erdogan dhe Tsipras kanë theksuar se vërtet në këtë takim nuk kanë nënshkruar ndonjë marrëveshje, por kanë rënë dakord për uljen e tensioneve në Egje dhe për masat që do të sjellin përsëri besimin midis dy vendeve, sidomos për të rritur marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike.

Në agjendën e zotit Tsipras, që ka mbërritur në kryeqyetin turk me avionin presidencial, është edhe vizita e tij në Stamboll dhe në shkollën e lartë teologjike të Halkit, duke u bërë kryeministri i parë grek që e viziton atë.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA