Top Story u ndal në Spitalin e Burgut të Tiranës, ku pacientët janë të sëmurë mendorë, të cilët kanë kryer krime të ndryshme në të kaluarën. Gjestet e tyre janë të pakontrollueshme, ndërsa shihet qartë gjendja e rënduar psikike.
Ata duhet të rehabilitoheshin në një spital normal psikiatrik, por në fakt po mbahen të burgosur…një shkelje e rëndë kjo e të drejtave të njeriut.
Të gjithë këta të sëmurë mendorë jetojnë në kushte ç’njerëzore dhe degraduese. E sikur të mos mjaftonin kaq, ky Spital, që më shumë ka të çmendur sesa të burgosur, ka vetëm një mjek psikiatër.
“Jemi mjekët të cilët jemi 5, 6, kuptohet aktualisht jemi dhe me mungesa. Është dhe stafi infermierorë, janë disa infermierë por për çdo pavion ka infermierë, kujdestarë dhe gardianët, stafi policorë. Aktualisht jam vetëm unë psikiatër”, tregon Mirjeta Gogaj, psikiatre, Spitali i Burgut.
Në disa raste, punonjësit e policisë dhe gardianët, janë ata që menaxhojnë situatën, kur ka përplasje mes të sëmurëve mendorë. Top Story vëzhgoi ambientet e brendshme të Spitalit të Burgut, ku investimet aty mungonin prej disa dekadash.
“Këto kushte kanë 30 vjet që vazhdojnë. Spitali është një ndërtesë e vitit 1930 dhe ka shërbyer ndër vite si spitali i burgjeve ndër vite dhe nuk është vënë dorë asnjëherë”, Apostol Luca, Drejtor i Spitalit të Burgut.
Top Channel