Efektivët e Policisë së Burgut duken të përgatitur. Prania e një televizioni i ka detyruar që të vishen me uniforma, edhe pse prej kohësh nuk e kanë një të tillë. Deri më sot, për Policinë e Burgjeve nuk ka patur asnjëherë uniformë, por secili prej tyre e ka blerë me paratë e rrogës mujore.

Që në hyrje, korridori të jep panoramën e parë të këtij burgu. Nëse hyjmë në ambientet e brendshme, shohim që dhomat janë të ndryshme dhe sipas rëndësisë së të burgosurve. Dikush ka një televizor brenda saj, dikush ka kushte më të mira dhe ndonjë tjetër jeton në dhoma të degraduara.

Në një dhomë janë akomoduar tre të sëmurë në Spitalin e Burgut. Mure të mykur, krevate jashtë përdorimit dhe kushte ç’njerëzore. Bolieri nuk është funksional. Pra, në mes të dimrit, këta të burgosur përdorin ujin e ftohtë.

Muret e çarë janë veshur nga posterat e aktorëve të hollivudit. Kushtet janë skandaloze, aspak në përputhje me të drejtat e një njeriu. Në një dhomë tjetër është një tjetër i dënuar. Ai ka pikturuar të gjithë muret, duke shprehur edhe gjendjen e tij të dëshpëruar. Dhoma e ajrimit të burrave ku qëndrojnë përreth dy orë të burgosurit. Por ky ambient përveç mureve të lartë dhe të coptuar, nuk të ofron asgjë tjetër.

Pamjet e jashtme të Spitalit të Burgut ishin akoma edhe më tmerrshme. Mure të çarë, tarraca të paizoluara, dritare të zhveshura dhe oborre të rrënuara. Në këtë tunel, që sot është kthyer në kenetë, kanë vuajtur dënimin disa prej anëtarëve kryesorë të Byrosë Politike.

“Nëqoftëse e vutë re, gjatë xhirimeve tuaja, ishte një tunel, një bodrum dhe flitet që aty kanë qenë gjithë anëtarët e byrosë politike të dënuar në atë kohë, që kanë kaluar në atë podrum. Sot ai është i papërshtatshëm dhe nuk është funksional”, tha Apostol Luca, Drejtor i Spitalit të Burgut.

Ajo që shihet si më pozitive në Spitalin e Burgut, është raporti mes stafit të këtij institucioni dhe të burgosurve. Drejtori i Spitalit të Burgut, Aposto Luca, viziton çdo të burgosur, dëgjon kërkesat e tyre dhe brenda mundësive plotëson dëshirat e tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA