Gjatë takimeve në Vlorë, kryetari i opozitës Lulzim Basha është takuar me të rinjtë, me të cilët ka theksuar se me ardhjen e PD-së në pushtet nuk do të vazhdohet më me tarifat dhe taksat aktuale.

Basha ka theksuar se do të zerohen tarifat për familjet me të ardhura të ulëta.

“Përsa i përket taksave të universitetit, kjo nuk do të vazhdojë. Ndaj janë ngritur studentët për këtë qëndrojmë edhe ne si opozitë. Plani ynë është që tarifat universitare për të gjitha familjet që kanë 640 mijë lek të vjetra për të shpenzuar në muaj, t’i zerojmë. T’i përgjysmojmë për ata që kanë të ardhura mbi 640 mijë lek në muaj të ardhura. Të investojmë që të shkoni në universitet me cilësi. Me laboratorë e mësues të ditur. Do t’ju financojë qeveria deri në 300 mijë lek të vjetra në muaj që të filloni të merrni profesionin. Të shkoni në një kompani që në vitin e dytë ose të tretë të studimeve. Ky është model gjerman dhe jo model që e kemi shpikur ne. Që paratë të mos shkojnë për PPP e hajdutllëqe por për ju, rininë”, ka thënë ai.

Gjatë një takimi me biznesin, Basha i ka ftuar qytetarët që të marrin pjesë në protestën e 15 shkurtit. Ai ka thënë se rikthimi i gjerave në rrugën e mbarë kërkon që populli të bashkohet.

“Ne si opozitë ju ofrojmë alternativën, nuk kemi asnjë mjet tjetër për ta zgjidhur. Ju ftoj me 16 ta zgjidhni si popull, me rezistencë popullore. Gjithçka mund të rikthehet në rrugën e mbarë nëse populli bashkohet dhe vjen më 16 shkurt në shesh. Në këtë vend ka shpresë. Na duhet të këpusim lidhjet e politikës me krimin dhe këtë mund ta bëjë vetëm populli”, ka thëne ai.

Top Channel