Në Gadishullin Arabik, ku ka lindur islami, nuk sheh shpesh pelegrinë të krishterë. Por kohët e fundit u dyndën te një prej emirateve, Abu Dabi, për meshën e parë të mbajtur nga Papa

Më shumë se 100 mijë veta mbushën stadiumin Zajed, të zbukuruar me kryqe, për të festuar eukaristinë me Papën Françesk. Hotelet ishin plot me pelegrinë që këndonin hozana. Disa mbanin postera me pëllumbin e krishterë të paqes, të zbukuruar me ngjyrat e flamurit të Emirateve të Bashkuara Arabe.

“Papa është një simbol paqeje, tolerance, që promovon vëllazërinë”, tha Muhamed Bin Zajed, pricni i kurorës dhe udhëheqësi që mirëpret papën.

Një mikpritje e tillë është mbresëlënëse për rajonin. Pak më në veri, xhihadistët sirianë dhe irakianë kanë çrrënjosur komunitetet e krishtera dhe u kanë djegur kishat. Vendi fqinj, Arabia Saudite, vazhdon të ndalojë edhe sot kishat dhe pemët e Krishtlindjeve. “Në Gadishullin Arabik nuk mund të bashkëjetojnë dy fe”, thonë myslimanët ekstremë, të cilët citojnë një shprehje të Profetit.

Ndërsa princi Muhamed, ndryshe nga ata, i ka kthyer Emiratet e Bashkuara në një oaz me fe të ndryshme dhe me dialog. Myftinjtë e mëdhenj dhe priftërinjtë përqafohen për të bërë foto. Emiratet e Bashkuara Arabe i kanë ofruar një strehë të sigurt të krishterëve që janë arratisur nga vendet e tjera arabe. Tani kanë një katedrale të re, 16 kisha dhe rreth 700 kongregacione. Në vitin 2013, Emiratet e Bashkuara u renditën të tretët në botë për rritjen më të shpejtë të popullsisë së krishterë. Si në shtëpi, ashtu dhe jashtë vendit, princi po promovon një rrymë të islamit që i nxit ndjekësit t’u binden udhëheqësve të tyre. Del kundër islamizmit politik – Vëllazërisë Myslimane – e cila e përdor fenë si një forcë për  të sjellë ndryshime politike dhe shoqërore. Kjo sponsorizohet nga rivali i Emirateve të Bashkuara në Gjirin Persik, Katari.

Papa Françesk duket se preferon më shumë besimin e Princit Muhamed se atë të Katarit. Në një intervistë të vitit 2016, ai dha paralajmërimin për eksportimin e një modeli demokracie “tepër perëndimor” në Lindjen e Mesme. Ndryshe nga paraardhësi i tij, Benedikti XVI, i cili i zemëroi myslimanët me një citim të profetit Muhamed, (për shpërndarjen e besimit me anë të shpatës), Papa Françesk i është afruar myslimanëve që duken tolerantë. Një e katërta e vizitave të tij kanë qenë në vende me shumicë myslimane, por rrallë ka folur kundër autokratëve të tyre.

Disa katolikë ngrenë pyetjen nëse Papa e ka gabim apo jo që mban njërën anë në mosmarrëveshjet midis myslimanëve. Të tjerë pyesin nëse është e drejtë që një figurë që do të vendosë paqe, të mitizojë vetëm një pjesë të një rajoni në konflikt (Emiratet e Bashkuara dhe jo Katarin). Në raste të tjera, ai i ka vizituar të dy vendet në konflikt, si për shembull vizita e tij në Izrael e Palestinë.

Në një rajon despotësh, princi Muhamed është ai të cilit i tremben më shumë. Edhe pse ka qenë tolerant me pakicat fetare, ai i mban peng liritë politike për shumicën myslimane, sidomos Islamistët, të cilën druan se mund ta rrëzojnë. Festat janë të ndaluara. Kush bën pyetje, burgoset. Emigrantët, përfshirë të krishterët, nuk marrin dot nënshtetësi.  Mbeten të huaj, sado breza të kalojnë. “Po t’i interesonte njerëzimi Papës, do të fliste për të drejta njerëzore”, tha Muhamed Saqer al-Zaabi, një islamist nga emiratet që jeton i dëbuar në Londër.

Princi ka nisur një fushatë rajonale kundër islamistëve, duke mbështetur në vitin 2013 rrëzimin e presidentit islamist në Egjipt, Muhamed Morsi. Ai ka ndërhyrë gjithashtu në luftërat civile të Libisë e Somalisë. Për rreth katër vite, ai dhe Muhamed bin Salmani, princi i kurorës së Arabisë Saudite, kanë bombarduar e kanë rrethuar Jemenin, pasi qeveria e vendit u përzu nga rebelët Huthi. Lufta ka vrarë me dhjetëra mijëra, ka çuar me miliona në prag të zisë së bukës, dhe ka shkaktuar akuza të shumta për krime lufte. “Është një situatë e tmerrshme, dhe vizita e Papës i jep besueshmëri asaj qeverie”, thotë Kaled Abu el Fadël, nga Universiteti i Kalifornisë, në Los Anxhelos. “Më shqetëson mesazh moral që po dërgon”.

The Economist

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA