“Vizitë në fushë të minuar” e titullon gazeta e Athinës, “Ta Nea”, artikullin mbi ndalesën e kryeministrit Alexis Tsipras në Turqi. “Një aventurë turke” shkruan portali “online” “In.gr”.

Shefi i ekzekutivit grek takohet sot në Ankara me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, e pas kësaj shkon në Stamboll për një bisedë më patriarkun ortodoks, Bartolomeu I.

Dhjetorin e një viti më parë ishte Erdogani në Athinë, duke u bërë presidenti i parë turk në 65 vite që vizitonte shtetin fqinj.

A janë këto shenja të afrimit mes dy vendeve? Zëdhënësi i qeverisë greke, Dimitris Tzanakopoulos mendon se po, e sqaroi se po punohet në mënyrë konstruktive per gjetjen e zgjidhjes së problemeve dypalëshe.

Megjithatë, mjaft grekë mbeten skeptikë për këtë rrugëtim të tsiprasit. Ata ndihen të kërcënuar prej pretendimeve territoriale të Turqisë në detin Egje.

Tensione sjell edhe situata e pakicës turke në Trakë, që sipas pikëpamjes greke nuk është turke, por “myslimane”, sepse nuk identifikohet me simbole etnike.

Ankaraja kërkon që kjo pakicë ta zgjedhë vetë myftiun e saj. Kjo çështje besohet se mund të jetë një nga temat e bisedës së Erdoganit me Tsiprasin, i cili duket se ka marrë impulse të reja pas zgjidhjes së ngërçit shumëvjeçar të emrit të Maqedonisë, e mbase në këtë kontekst po kërkon t’i japë një shtysë tjetër edhe zgjidhjes së çështjes së Qipros.

Top Channel