Kukësi vijon të luajë në transfertë edhe ndeshjet si skuadër pritëse, ndërsa pak ditë më parë u njoftua se është gati projekti për ndërtimin nga e para të stadiumit “Zeqir Ymeri”.

Presidenti i verilindorëve, Safet Gjici foli në emisionin “Procesi Sportiv” për stadiumin e ri, por edhe investimet në merkato dhe synimet e klubit gjatë këtij sezoni.

Numri 1 i Kukësit nuk i kurseu komentet as për rivalët e tij si Ardian Takaj dhe Olsi Rama, duke përdorur edhe pak nota humori.

Na flisni pak për projektin e stadiumit. Mos ndoshta Federata po ju mban me hatër, që po ju sponsorizon një pjesë të fundit?
Nuk ka lidhje fare, pasi prej kohësh janë investuar ndërtimet e disa stadiumeve të tjera nëpër Shqipëri. Kukësit i takonte një mbështetje e tillë, për vetë atë që i ka dhënë futbollit shqiptar gjatë këtyre viteve.

Kur pritet të fillojnë dhe mbarojnë punimet?
Besoj se që këtë muaj do të fillojnë punimet, me intensitet të lartë dhe shpresoj se për 7-8 muaj të kemi përfunduar komplet ndërtimin.

Keni bërë merkato shumë bindëse? Si e shikoni skuadrën dhe çfarë prisni nga sezoni?
Kemi marrë disa lojtarë mjaft të mirë, por do të jetë fusha ajo që do të tregojë se çfarë do të japin. Pres shumë si nga Shkurtaj, ashtu edhe nga Rroca, por edhe Valdet Rama. Gjithsesi duhet koha e mjaftueshme, që lojtarët të arrijnë bashkëpunimin e duhur mes tyre, por synimi ynë është padyshim fitimi i titullit kampion?

Konkurrenca më e bukur është me Takajn, apo me Ramën?
Konkurrenca është shumë e bukur me të gjithë në fakt, por me këtë “Moggin” e Partizanit po më pëlqen rivaliteti, por duhet të presim fundit për të parë se kush do fitojë.

Kush është më i fortë në diplomaci sportive, Olsi Rama apo Takaj?
Që të dy në fakt. Takaj është pak i maskuar, por edhe Olsi mund të arrijë në ato nivele.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA