Mesjava do të rikthejë skuadrat e Superiores në fushat e blerta, për të vendosur se cilat prej tyre do të vazhdojnë më tej në Kupën e Shqipërisë.
Në këtë fazë të dytë do të luhen ndeshjet e kthimit, teksa në një pjesë të mirë të ndeshjeve çështja e kualifikimit mbetet e hapur.
Tirana do të udhëtojë në Vlorë për t’u përballur me Flamurtarin, pas fitores 2-0 në ndeshjen e luajtur në kryeqytet, e shtrirë në dy ditë për shkak të motit të keq.
Edhe pse duket një avantazh i administrueshëm për Tiranën, ndeshja në Vlorë pritet me interes të madh, pasi të dyja skaudrat mund ta shohin Kupën si alternativë të Europës.
Gjithçka e hapur mbetet në çiftin mes Skënderbeut dhe Besëlidhjes. Në ndeshjen e parë në Lezhë, kampionët e Shqipërisë fituan me shifrat 2-1, një rezultat që nuk i siguron shumë për këtë ndeshje kthimi, për më tepër në një periudhë jo të mirë që po kalojnë, me 6 humbje radhazi në kampionat.
Me shkëputjen nga kryesuesit, edhe për skuadrën korçare Kupa merr tashmë një vlerë më të madhe.
Ndërkohë, kryesuesit e Kategorisë Superiore, Partizani ka të tjera synime për sezonin, duke përqëndruar forcat më tepër te kampionati. Në këtë ndeshje të Kupës së Shqipërisë, ata do të përballen me Kastriotin në “Selman Stërmasi”, duke u përpjekur të ruajnë avantazhin e fitores 4-2 në takimin e parë.
Një përballje interesante kjo për të parë synimet e skuadrës krutane, ndërkohë që trajneri Gega, me një skuadër me më shumë elementë, do t’iu japë më tepër hapësirë lojtarëve që kanë pasur pak minuta në kampionat, duke bërë një lloj rotacioni për të çlodhur formacionin bazë.
Ndeshje të tjera interesante do të ketë në këtë raund të Kupës, ku një vëmendje të veçantë do të ketë përballja mes Laçit dhe Bylisit, teksa skuadra e Superiores është mundur në ndeshjen e parë 2-0, apo Kukësi që do të përpiqet të përmbysë humbjen e parë në Fier, me shifrat 2-1, për t’u kualifikuar për më tej. Të gjitha ndeshjet e kthimit të fazës së dytë të Kupës së Shqipërisë do të luhen në orën 13:30.
Top Channel