Duket se kohët e fundit fati e ka braktisur trajnerin Jose Mourinho, pak rëndësi ka fusha në të cilën impenjohet.
Pasi u rrëzua në mënyrë komike në startin e një ndeshjeje hokeji në Rusi ku ishte si i ftuar nderi, tekniku luzitan që u shkarkua nga Manchester United u prezantua në një gjykatë në Madrid për akuzat e evazionit fiskal.
Ekipi ligjor i Mourinho ka arritur një pakt me hetuesit për një vit burg me kusht dënim nga i cili nuk do të vuajë asnjë ditë në qeli. Ai do të paguajë gjithashtu 2 milionë Euro gjobë për shmangien e taksave në Spanjë, në kohën kur ishte trajner i Realit të Madridit. Organet fiskale spanjolle hapën çështjen për shkak se portugezi nuk deklaroi fitimet e majme nga e drejta e imazhit në vitin 2011 dhe 2012.
Sipas detajeve që japin në Spanjë, akordi mes autoriteteve fiskale dhe Jose Mourinho, përfshin edhe konvertimin e dënimit me burg në një gjobë të majme. Akordi duhet të certifikohet nga një gjykatës në Madrid.
Ky është vetëm vendimi i fundit nga drejtësia iberike për një personazh të njohur në futboll. Vetëm pak javë më parë Cristiano Ronaldo u dënua me dy vjet burg me kusht dhe 18 milionë Euro gjobë për të njëjtat akuza, evazion fiskal.
Top Channel