Anulohet koncesioni i llixhave. Banorët e Peshkopisë e kundërshtuan me protesta

05/02/2019 16:16

Këshilli i Bazenit Ujor Drin-Bunë në Prefekturën e Shkodrës anuloi lejen për shfrytëzimin e ujërave termale në Dibër për kompaninë “Nesimi Construction-78”.

Çesk Millja, kryetar i këshillit, tha: “Vendimi që u mor dhe që ka pasur parregullsi në dhënien e lejes nga ky këshill pasi nuk kanë qenë në dijeni për pronësinë e këtij objekti, ku pronar është Bashkia Dibër”.

Vendimi i marrë nga ky këshill dhjetorin e kaluar nxiti protesta në Peshkopi dhe debate që shkuan deri te zyrat e prefektit të Dibrës. Banorët argumentuan se shfrytëzimi nga një kompani private do të dëmtonte dhejtëra hotele dhe biznese familjare në zonë, por do të kishte, sipas tyre, edhe pasoja mjedisore duke dëmtuar burimet termale.

Një hetim administrativ nga Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore doli në përfundimin se kishte mospërputhje mes koordinatave të paraqitura në dokumentin e firmës dhe burimit ekzistues ku merr ujë qendra balneare e Peshkopisë, por edhe mospërputhje të koordinatave të pikës së shkarkimit që në fakt janë ato të burimit ezksitues që përdor bashkia sot.

Përveç shkeljeve në dokumentet e “Nesimi Construction-78”, hetimi vërtetoi se nuk janë bërë konsultime me qytetarët.

Top Channel