Shorti i Kupës së Mbretit në Spanjë i dhuroi tifozëve në mbarë globin dy “Klasike” elektrizuese që parashikohet ashtu si gjithmonë të tejlakojnë kufijtë e futbollit.
Përplasja e parë nga dy të tilla të programuara në këtë turne do të marrë jetë mbrëmjen e së mërkurës, në një 90-minutësh ku enigma kryesore personifikon emrin e Lionel Mesit.
Sulmuesi argjentinas ka ndihmuar Barcelonën këtë sezon të jetë favorite në 3 fronte, por futbollisti argjentinas mungoi në stërvitjen e së hënës, duke shtuar dyshimet se do të mungojë në Kupë. Numri 10 i skuadrës katalanase shënoi dy gola në përballjen e fundit ndaj Valencias, por dëmtoi këmbën e djathtë në një dyluftim me mbrojtësin Lato.
Në stërvitjen e fundit mungoi gjithashtu edhe Osman Dembele’, një tjetër sulmues që ka vënë në dyshim prezencën në “Klasike”. Këtyre dyshimeve i shtohet një mungesë e sigurtë, ajo e Jordi Alba për shkak kartonash.
Në kampin tjetër, Reali i Madridit pret të ketë një kontigjent të plotë në stadiumin “Camp Nou”. Pas largimit të Ronaldos që ka lënë shenjë këtë verë, talenti i skuadrës galaktike, Vinicius Junior duket se po kthehet në futbollistin kryesor që tërheq tifozët në stadium përmes golave dhe lojës emocionuese.
Top Channel