Presidenti Meta priti një përfaqësi të banorëve të Unazës së Re që kundërshtojnë projektin e zgjerimit të saj dhe më pas doli me një qëndrim publik, duke i kërkuar Qeverisë ta anulojë projektin.

“Presidenti i Republikës, në vlerësim të gjendjes së paligjshmërisë ekstreme të konstatuar nga keqfunksionimi i institucioneve të administratës shtetërore dhe të situatës së krijuar, vlerëson se kjo çështje mund dhe duhet të marrë një zgjidhje përfundimtare. Për këtë është e domosdoshme që qeveria të tregojë vullnetin politik dhe të anullojnë menjëherë projektin. Pas anullimit të plotë të projektit ekzistues të nisin procedurat me garë të hapur për të realizuar një Projekt të Ri, i cili do të duhet të ofrojë zgjidhjen më të mirë teknike për zhvillimin urban të Tiranës”, lexohet në njoftimin e Presidencës.

Presidenti shpjegon edhe pse nuk e bind vendimmarrja e Qeverisë dhe ARRSH-së për të rihapur procesin e tenderimit: “Aktualisht, organi i Prokurorisë është duke kryer hetime në këtë çështje, dhe nga ky hetim mund të zbulohen fakte dhe rrethana të cilat mund të sjellin pasoja të drejtëpërdrejta që ndikojnë në mënyrën se si kjo vepër duhet realizuar”.

Kreu i Shtetit rendit një sërë shkeljesh ligjore të institucioneve të përfshira në këtë projekt, për të arritur në konkluzionin se gara ishte false: “Procedurat e tenderimit për realizimin e investimit në këtë segment rrugor janë shpallur, zhvilluar dhe kanë përfunduar ndërkohë që projekti nuk ishte miratuar ende nga Këshilli Kombëtar i Territorit. Siç është faktuar publikisht konkurimi në të tre lotet ka qenë fiktiv. Në çdo lot kanë konkuruar dy kompani, ku e njëjta kompani në të tre lotet ka dhënë ofertë ekonomike me vlerë zero! Kjo provon qartazi realizimin e një procesi tenderimi të trukuar”.

Presidenti akuzon IKMT-në se po gjobit banorët duke e cilësuar këtë një sjellje shantazhuese, ndërsa nënvizon se ai vetë nuk ka marrë përgjigje nga një institucionesh të larta shtetërore të cilave u është drejtuar me shkrim për të mbledhur informacion mbi projektin e Unazës së Re.

Top Channel