Moti i keq ka përfshirë detin Adriatik dhe brigjet shqiptare e italiane duke shkaktuar zhvendosje të grafikut të lëvizjeve për tragetet e linjave detare që lidhin dy vendet.

Pezullimi i përkohshëm i lundrimeve u shoqërua me ndërprerjen e aktivitetit përpunues të anijeve në port.

Mbrëmjen e së shtunës, deti i egërsuar detyroi kapiteneritë e porteve të Durrësit e Barit të shtyjnë nisjet për 4 tragetet e linjës. Tragetet e orës 23.00 janë nisur vetëm mëngjesin e së dielës dhe pritet të mbërrijnë në portet respektive të Durrësit e Barit jo më parë se ora 14.00.

Forca e detit shkaktoi një vonesë 2-orëshe në mbërritjen e tragetit të linjës Ankona-Durrës.

Ndërkohë, edhe ne Vlorë, moti i keq shoqëruar me erë të fortë dhe dallgë mori me vete disa varka të vogla peshkimi në zonën e plazhit të vjetër. Për shkak të motit të keq, lundrimi detar ne Vlorë është pezulluar përgjatë gjithë ditës së dielë.

Forca e detit sot në Adriatik është 8 ballë dhe era fryn në drejtim të jugut. Në orët e para të ditës së hënë pritet një rënie e forcës detare dhe përmirësim i kushteve atmosferike në det.

Top Channel