Roma dhe Milani ishin thirrur “nën armë” në stadiumin “Olimpico”, për të thënë diçka më shumë në luftën për një vend në Champions, por barazimi mes tyre në Serie A i ka lënë llogaritë të hapura.
Verdhekuqtë dhe skuadra mike morën nga një pikë, që i mban në të njëjtat pozita: Milani i katërti dhe Roma pas tij.
Krzysztof Piątek (Kzhishtof Pjontek) i dha avantazhin miqve pas një ngulmimi të brazilianit Paquetà në të majtën e sulmit, por festa e kuqezinjve zgjati vetëm një pjesë. Me rinisjen e lojës, Zaniolo barazoi për Romën në një përplasje me fat të topit, që nuk kishte vëmendjen e duhur nga prapavija kuqezi.
Ndërkohë, më herët Interi humbi 0-1 në shtëpi përballë Bolognas, duke e vazhduar edhe këtë të dielë vitin negativ. Skuadra milaneze iu dhuroi miqve atë që nuk merrnin dot prej 14 javësh dhe as nuk shpresonin se do ta merrnin në “San Siro”.
Ndeshja u vendos në favor të Bolognas nga një gol me kokë i Santander. Fitore e merituar për kuqeblutë, në debutimin e Mihajloviç në stol. Fiorentina dështoi në mundësinë e saj për të hyrë në zonën europiane, pasi barazoi 1-1 në fushën e Udineses.
Friulanët morën fillimisht epërsinë me Striger Larsen, ndërsa ekipi nga Firence u përgjigj me Edimilson, një barazim thuajse natyral që i shërben më tepër Udineses për mbijetesën.
Top Channel